Pas dy ditësh diskutimesh maratonë me kabinetin qeverisës, Kryeministri Edi Rama ka nisur një takim prej orës 13:00 me të gjithë drejtuesit politik të 12 qarqeve të Partisë Socialiste
Tashmë kemi hyrë në një vit zgjedhor dhe në funksion të zgjedhjeve të 13 majit kryeministri Rama është duke zhvilluar një takim me të gjithë drejtuesit politikë. Formati është i tillë ku të 12 drejtuesit politikë janë duke raportuar për problematikat por edhe për pikat e forta të PS-së në qarqet respektive.
Po ashtu edhe për realizimin e detyrave të lëna nga mbledhja e shkuar e të njëjtit format. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë mbledhje të diskutohen edhe sondazhet e brendshme të cilat PS-ja i zhvillon në mënyrë permanente ku përmes këtyre sondazheve PS-ja kërkon të kuptojë se si është performance e kryebashkiakëve dhe se çfarë duhet të ndryshojë qeverisja vendore për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pritet me interes nëse Rama do të komunikojë me gazetarët në fund të këtij takimi apo të publikojë në rrjete sociale ndonjë foto nga ky takim siç ka ndodhur në dy ditët e shkuara me takimet që zhvilloi me ministrat e kabinetit ku në secilën ministri publikonte një foto e cila përmbante performancën e asaj ministrie përkatëse. Kjo mbledhje do ja lërë vendin në ditët në vazhdim të gjithë ministrave të cilët do të bëjnë një dalje publike për të shpalosur programet te tyre për vitin 2023.