Nga Albert Tafaj
Kushdo që e ndjek rregullisht jetën publike dhe veçanërisht politike, e ka të lehtë të kuptojë se Sali Berisha dhe grupimi i tij nuk kanë qenë kurrë më të tërbuar se ditët e fundit.
Së pari, sepse këto ditë përkojnë me makthin e tij më të keq, krimin shtetëror të 21 Janarit në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Një audio e publikuar nga një gazetar investigativ rrëzoi 12 vite mashtrime, manipulime, arrogance, përbuzjeje të Sali Berishës për 4 viktima, që siç provojnë faktet e reja, u vranë me urdhrin për zjarr luftarak nga brenda kryeministrisë.
Po në të njejtën periudhë kohore, një tjetër mëkat i së shkuarës do të prishte qetësinë e Sali Berishës. Rihapja e hetimeve në SPAK për dosjen “Gërdeci” ka nxjerrë në dritën e diellit, implikimin e drejtpërdrejtë të djalit të tij, Shkëlzenit në fabrikën e vdekjes. Një faks i Ministrisë së Drejtësisë me mbishkrimin ‘Për Shkëlzenin’ provon se Ministrat Mediu dhe Bumçi i shërbenin interesave të Shkëlzenit.
E teksa djali i tij është thirrur në SPAK për të dëshmuar mbi aferën, babai e ka humbur aq shumë qetësinë, sa e vetmja mënyrë për të shmangur të shkuarën e tij që po i përplaset në fytyrë, është të prodhojë histori imagjinare me korruptim amerikanësh nga Edi Rama.
Prej dy ditësh ai akuzon se Kryeministri ka korruptuar një ish zyrtar të FBI për të lobuar kundër opozitës demokrate, duke iu referuar një aktakuze ndaj McGonigal. Që të besosh këtë që thotë Berisha, pra se Amerika mund tu korruptoka nga Edi Rama është njësoj si të besosh se New York-u është kryqendra e Viçidolit, fshatit të origjinës së Berishës.
Por përtej dozave të groteskes në akuzat e tij, ato që kanë rëndësi janë faktet të cilat në këtë rast gjenden në dosjen e e drejtësisë amerikane, e bërë publike edhe në faqen e departamentit të drejtësisë. Në asnjë paragraf të saj nuk thuhet se shtetasi shqiptar Edi Rama apo ndonjë person afër tij i dha shqiptaro amerikanit Agron Neza, 225 mijë dollarë si rryshfet për zyrtarin McGonigal.
Për më tepër, në pikën 27 të akt-akuzës sqarohet se paratë, McGonigal i ka marrë nga Neza për t’ja rikthyer sërish atij.
Shkelja sipas drejtësisë nuk qëndron te marrja e parave por te mosdeklarimi i tyre, pasi McGonigal si zyrtar i lartë kishte detyrimin për të deklaruar çdo shumë, biletë apo udhëtim të tijin.
Për këto arsye, dhe për gjithë mënyrën se si drejtësia amerikane e ka zbardhur çështjen, për saktësinë e fakteve dhe sqarimit të ngjarjeve, ajo është e kundërta e drejtësisë që deshi, ngriti dhe përdori për kaq shumë vite Sali Berisha në Shqipëri.
Një lloj drejtësie si ajo amerikane që nuk toleron as zyrtarin më të lartë të organit më të rëndësishëm si FBI, është makthi dhe tmerri i Sali Berishës që pushtetin e tij korruptiv e mbajti në këmbë me një lloj drejtësie që nuk pati kurrë kurajo të thërriste ndonjë zyrtar të kohës së tij.
Një lloj drejtësise si ajo amerikane që nuk toleron as mosdeklarimin e udhëtimeve të një zyrtari në Europë, i kall datën një ish kryeministri si Sali Berisha, i kapur fort pas një drejtësie që konsideroi “vrasje nga pakujdesia”, ekzekutimin e katër protestuesve në bulevard.
Drejtësia amerikane nuk është instrument për të minuar demokracinë, ashtu siç Berisha përdori drejtësinë shqiptare kur ishte në pushtet, aq shumë e aq rëndë sa detyroi edhe SHBA-të ta shpallnin “nongrata” dhe pjesë të listës së njerëzve që përbëjnë rrezik për demokracitë perëndimore.