Nga Adriatik Doçi/

Shkodra ishte i vetmi qark ku LSI-ja e Ilir Metës, e shndërruar në Partinë e Lirisë, shmangu rënien dramatike në zgjedhjet parlamentare të 2021. LSI-ja preku fundin në 11 nga 12 qarqe, ndërsa nuk arriti të merrte asnjë mandat në 9 qarqe të vendit. Disfata dramatike e LSI-së ishte edhe shkaku kryesor i humbjes së opozitës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pasi nga ana tjetër, Partia Demokratike u rrit me 165 mijë vota krahasuar me rezultatin në zgjedhjet e 2017.

Qëndrueshmëria elektorale e partisë së Ilir Metës në Shkodër i atribuohet biznesmenit dhe deputetit Agron Çela, i konsideruar si një nga pikat e forta të LSI-së në këtë qark, ashtu siç ishte Nasip Naço në Berat, Lefter Koka në Durrës etj.

Por, ditët e fundit, edhe Agron Çela ka deklaruar publikisht largimin nga Partia e Lirisë dhe kalimin në Partinë Socialiste. “Unë jam shumë korrekt, kam mbyllur një lëvizje me Partinë e Lirisë, po shikoj rrugë të tjera. Kam shumë oferta nga parti të tjera”, tha Çela. Bashkë me Çelën po afrohet me PS-në edhe Edmond Ndou, i cili ka qenë kreu i degës së Partisë së Lirisë në Shkodër. Ikjet e mëdha nga LSI-ja ndahen në tre faza që nga themelimi në 2005 dhe deri më sot pas ndryshimit të emrit në Partinë e Lirisë.

Faza e parë e largimeve u shënua në korrik-gusht të vitit 2009, kur Ilir Meta mblodhi 85 mijë vota për të rrëzuar Sali Berishën nga pushteti dhe më pas iu bashkua Berishës, duke qeverisur bashkë deri në vitin 2013. Figurat kryesore themeluese si Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Mustafa Muçi dhe Sokol Axhemi kundërshtuan aleancën me Berishën dhe u larguan nga LSI-ja. Meta i konsideroi largimet si diversion i Edi Ramës.

‘Eksodi’ i dytë i madh në LSI është shënuar pas aleancës së dytë mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, në fillim të vitit 2018 deri para zgjedhjeve parlamentare 2021. Nga partia e Ilir Metës u larguan Nasip Naço, Lefter Koka, Gledion Rahovica, Alqi Bllako, Elez Gjoza, Hasan Halili etj. Largimi ndikoi në rënien e LSI-në zgjedhje, sidomos në Durrës, Tiranë dhe Berat. Pas zgjedhjeve nga LSI-ja u largua edhe Luan Rama, i cili pati përplasje me Petrit Vasilin dhe Metën në Vlorë.

Nga viti 2018 dhe në vijim, LSI është braktisur nga dhjetëra përfaqësues vendorë. Në Tiranë, nga LSI janë larguar Bora Panajoti, Genta Mezini dhe Naim Halili, në Fier Natasha Yzeiraj dhe Thoma Tyto dhe Marsida Bega, në Blesh Besmira Xhaferri dhe Ramadan Elezi, në Gjirokastër Adrian Hyska, në Shkodër Elton Radovani, Sokol Jubica, Mirjan Bletaj dhe Roza Dedvukaj, në Devoll Albert Lilo, Perlat Xhaçi, Aldo Shpuza dhe Enver Manoku, në Durrës, Adriana Hatellari, Iris Gruda, Sanije Doda dhe Skënder Korriku, në Korçë Marilena Dervishi dhe Shkëlqim Larti, në Kurbin Drane Halilaj dhe Vlash Piroli, në Vlorë Artimida Luci, në Kukës Zarie Visha etj.

Në vitin 2019, u larguan nga LSI-ja Ralf Gjoni, Ylli Shehu, Nimet Musai etj. Edhe këto lëvizje u konsideruan nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi si pastrim i partisë së tyre dhe pazare të Ramës.

Faza e tretë e largimeve nga LSI ka nisur disa muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023. Edhe pse nuk e fshehu nervozizmin, Ilir Meta tentoi të relativizonte largimin e Agron Çelës dhe Edmond Ndout, duke deklaruar se “Nuk shqetësohem për merkatot e Rilindjes”.

Figurat politike që u larguan nga partia e Ilir Metës:

Agron Çela
Luan Rama
Nasip Naço
Lefter Koka
Robert Bitri
Alqi Bllako
Ralf Gjoni
Gledion Rehovica
Ergys Agasi
Emond Rrushi
Edmond Ndou
Ylli Shehu
Shemsi Prençi

Edmond Haxhinasto (distancuar)
Vangjel Tavo (distancuar)
Fatos Klosi
Sabit Brokaj
Pëllumb Xhufi
Ndre Legisi
Sabit Brokaj
Mustafa Muçi
Sokol Axhemi
Dritan Prifti
Pjerin Xhuvani
Besjan Pesha
Spartak Braho

Elez Gjoza
Hasan Halili
Aurora Mara
Enver Roshi
Edlira Hyseni
Elda Hoti
Ediola Braho
Nimet Musai
Enada Koçiraj
Bora Panajoti

Elton Radovani
Genta Mezini
Parid Xhihani
Aleksandër Lipivani
Ali Karaj