Nga: Alba Malltezi

Zamira Durda, kjo nënë shqiptare që humbi djalin e saj Erison Durda, vetëm 7 vjeç, në tragjedinë e Gërdecit, sheh më qartë se të gjithë ne, bashkëatdhetarët e saj. Ajo është e qartë, më e qartë se Drejtësia e re: Babëzia për para’ bëri që të ndodhte Tragjedia e Gërdecit!

Pra babëzia për vila, për udhëtime, për luks, për “Hermes”, për Dolce & Gabbana, për toka, për dasma “firmato” me kuzhinerë “firmato”, në vende “firmato”, por me rroga shtetërore, bëri që vogëlushi i saj me biçikletën e tij të humbte jetën në Gërdecin e “minuar” nga një aferë korruptive. Aferë, të cilën e kishte thurur dhe për të cilën kishte këmbëngulur një ministër me urdhër të djalit të kryeministrit të tij dhe ky djalë, është gjithashtu i babëzitur për vila, për udhëtime, për luks, pa punuar, dhe me prindër gjithnjë të punësuar në… “Shtet”.

Por këtë fakt e sheh fare qartë vetëm Zamira Durda dhe pakkush nga ne; shumica jemi ulur të numërojmë paratë në kasafortën e një punonjëse të administratës, të grabitura nga gruaja që e ndihmonte në pastrimin e shtëpisë së saj. Ne duam të dimë me saktësi nëse ishin 120 mijë apo 400 mijë euro në atë kasafortë te apartamenti në të ashtuquajturën “rruga e Kosovarëve” (dhe mirë bëjmë), por nuk duam të dimë asgjë për vilat disamilionëshe në radhën e parë, sfiduese për çdo logjikë shtetërore dhe njerëzore, të Gjirit të Lalëzit, apo të rezorteve të tjera anembanë Shqipërisë. Madje, shumë prej nesh ato vila, apo kulla të ndërtuara me miliona e miliona euro të korrupsionit as nuk duam t’i shohim , madje, madje aty duam të jetojmë.

Ndokush prej nesh dje, ndonjë analist edhe nga ata që ka qenë i persekutuar, përpiqej të analizonte se çështja e kasafortës së nëpunëses së administratës është disafish më e rëndë se shpërthimi i Gërdecit. Kemi arritur deri këtu: Që gazetarë shqiptarë, pa numëruar politikanë, të përpiqen me këmbëngulje të bindin ata “që nuk marrin vesh”, se kasaforta e zonjës Alda, është më e rëndësishme se edhe 21 janari, se edhe Gërdeci.

Nuk dihet se cili është hall i madh që ka zënë vërtetë disa prej nesh për të arritur në humnera të tilla, por një gjë është e sigurtë; askush prej nesh nuk ka provuar humnerën e humbjes së një fëmije, që del për të luajtur në moshën më të bukur, dhe hidhet në erë mbi aferën e të babëziturve për vila dhe për “Hermes”.