Në Arkivën e re qendrore të DPSHTRR-së po vijon puna për arkivimin digjital dhe me standarde dinjitoze të dosjeve dhe dokumenteve. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ambientet e reja të Arkivës Qendrore të DPSHTRR-së, ku janë sistemuar njëkohësisht arkivat e drejtorive rajonale.
Kryeministri theksoi se ky është një proces që po ecën paralelisht me skanimin dhe digjitalizimin e të dhënave për mjetet dhe drejtuesit e mjeteve, duke ulur burokracitë dhe marrjen e shërbimeve sa më të shpejta. Punimet në godinën e Arkivës Qendrore të DPSHTRR-së konsistuan në sistemin e antizjarrit, rifiniturat e brendshme, klimatizimin e sistemet e reja bashkëkohore dhe tërë punimet e sistemimet e jashtme. Fondet janë 100% nga të ardhurat e vetë DPSHTRR-së.
Ndërkohë paralel vijon skanimi e digjitalizimi përmes projektit “e-Arkiva” për të zvogëluar maksimalisht numrin e dokumenteve fizike. Investimet do të përfshijnë edhe transformimin e godinës qendrore të DPSHTRR-së, e cila aktualisht punon me kapacitet të reduktuar pas dëmtimit nga tërmeti.