Tuneli i Llogorasë, gërmimet e të cilit kanë përfunduar dhe tanimë është i hapur në gjithë gjatësinë e tij, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore. Kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan sot kantierin e punimeve në këtë tunel, ku u finalizua edhe hapja e plotë e tij pas përfundimit të gërmimeve.
Rama ndau pasditen e sotme albumin me fotografi nga ky tunel, i cili ka përfunduar dhe tanimë është i hapur në gjithë gjatësinë e tij. Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021. Tuneli i Llogorasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta. Kjo vepër infrastrukturore do të përfundojë plotësisht në 10 gusht 2024.