Po vijon puna për rehabilitimin e sheshit të pallateve në Rajonin 1 në Elbasan, një prej lagjeve që ndodhet në qendër të qytetit. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri dhe kryebashkiaku Gledian Llatja inspektuan punimet të cilat priten të përfundojnë në mars duke u dhënë banorëve një hapësirë tërësisht të transformuar e të aksesueshme për të gjithë.

Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, nënvizoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe se modeli që ofrohet për Elbasanin është ai i punës. “Këtu puna flet vetë. Në fakt, dëgjova dhe banorët, ajo ç’ka është e rëndësishme -e tha dikush këtu – ka vite që këtu nuk ka ndërhyrë njeri. Kryetari i bashkisë e dha llafin, e mbajti fjalën. Pse themi ne për Gledin? Gledin e keni djalin e qytetit që mendon për urbanizimin e qytetit, të tjerët mendojnë për bunkerizimin e qytetit, për politikë. Kështu që modeli jonë është modeli i punës. Ky nuk është vetëm. Ky ka qeverinë nga mbrapa, na ka ne. Ky ka detyrë të bëjë projekte, të komunikojë me qytetarët, fondet e bashkisë t’i administrojë mirë, por edhe qeveria shqiptare të ndihmojë . Kjo është lidhja qeveri – bashki dhe unë them me Gledin ne këtë po e realizojmë përditë”, tha Gjiknuri.

Numri dy i socialistëve u shpreh se mbështetje dhe investimet nuk do të mungojnë as në të ardhmen. Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se falë këtij investimi i jepet fund dhe përmbytjes së kësaj zone nduke zgjidhur një kërkesë të kahershme të komunitetit. “Ne po përpiqemi të ndërhyjmë në të gjithë sheshet e pallateve. Ky ka qenë një investim i kërkuar prej kohësh në fakt edhe nga buxhetimi me pjesëmarrje, edhe nga kërkesat e banorëve. Pas sistemimit të kanaleve të ujërave të bardha dhe sistemimit të ujit të shiut, që mos kishim më përmbytje të kësaj zone, filluam sistemimin e komplet sheshit të pallateve”, tha Llatja. Investimi i nisur parashikon ndërhyrjen e plotë, me ndriçim, me trotuare dhe vende parkimi.