Alba Malltezi
Dhjetë ditë pas 21 janarit, mund të shprehemi për atë që ndodhi nën sytë e të gjithëve: Disa prej nesh barazojnë krimet ndaj jetës njerëzore me ato të korrupsionit, si të ishte gjëja më e lehtë që mund të bëhet. Madje shkojnë përtej: Propozojnë të riabilitohen dhe të rianimohen si drejtues të shqiptarëve, ata që qëlluan pa asnjë hezitim ndaj tyre.
Ishin shokuese deklaratat dhe analizat e disa mbështetësve të opozitës nëpër media nga 21 janari e tutje. Mund ta themi këtë 10 ditë pas asaj date. Në dritë të diellit dhe nën prozhektorë studiosh elegante, secili prej tyre pranonte hapur se ishte i bindur se urdhërin për vrasjet e 21 janarit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit me 21 janar 2011 e ka dhënë Sali Berisha dhe se ato vrasje u bënë me dëshirën e tij. Të gjithë nuk shfaqnin asnjë dyshim për këtë. Ashtu si të gjithë, pa përjashtim e shprehnin këtë bindje edhe pse asksuh nuk e ka dëgjuar ta thotë a ta bëjë.
E megjithatë, është akoma më shokuese, që të gjithë këta mendimtarë në Shqipërinë e vitit 2023, e propozojnë Sali Berishën dhe pjesën e tij të dëmtuar thellë moralisht sot në opozitë, si alternativa që mund të udhëheqë përsëri Shqipërinë. Ata na deklarojnë se vrasjet mund të riabilitohen njësoj si korrupsioni, apo të tjera krime administrative dhe se vrasësi mund të rianimohet bashkë me ata që e ndihmuan në krim. Pra, nuk ka kanë mjaftuar më shumë se 30 vite liri dhe demokraci që disa prej nesh të krijojnë një shtyllë kurrizore të shëndetshme dhe të papërulur ndaj dhunës dhe mizorisë së më të fortëve. Disa prej nesh vazhdojnë të jetë të magjepsur, të tërhequr, tolerantë ndaj dhunës ekstreme dhe njerëzve që e kanë atë si metodë në politikë, njësoj siç bënë në kohën e diktaturës. Jeta njerëzore e humbur për ta, as nuk barazohet me një tender, me ca para të gjetura nëpër shtëpi shtetarësh.Jeta njerëzore e humbur është asgjë, në krahasim me detajet e eurove nën dyshekë, apo arkave me peshk.
Në të vërtetë nuk ka shumë dallime nga analizat e disave me 21 janar nga ata shqiptarë që mbyllnin sytë, gojën dhe mendjen kur ish-partizanët të ardhur në pushtet torturonin klerikë, vrisnin tregtarë e të shkolluar sepse i shihnin ndryshe. Toleranca ndaj dhunës dhe marrjes së jetës, kalimi si pa të keq nga një ngjarje çnjerëzore te një tjetër, është ngrehina më e thellë njerëzore nga e cila nëse bie, pakkush mund të ringrihet, rianimohet e të bëhet përsëri njeri.