Sëmundjet infektive dhe mangësia në infrastrukturën për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike janë dy shqetësimet kryesore të drejtuesve ekzekutivë shqiptarë sipas raportit të fundit të Forumit Ekonomik Global, që ka identifikuar rreziqet kryesore globale për vitin 2023 në raportin e tij të fundit “Raporti i rreziqeve globale 2023”.
Shqetësimi i tretë është rritja e shpejtë e inflacionit, i ndjekur nga problemet gjeopolitike që shkaktojnë krizën e lëndëve të para. Shqetësimi i pestë kriza e furnizimit me ushqime.
Studimi, një bashkëprodhim i konsulentëve Marsh McLennan dhe Zurich Insurance Group, mori parasysh pikëpamjet e më shumë se 1200 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe liderëve të industrisë. Ky raport bazohet në Anketën e Perceptimit të Rreziqeve Globale (GRPS) që realizohet prej dy dekadash. Përgjigjet për anketimin u mblodhën nga 7 shtatori deri më 5 tetor 2022.
Vitin e kaluar, ndonëse pandemia e Covid 19 ishte në kulmin e saj, sëmundjet infektive ishin shqetësimi i pestë i drejtuesve ekzekutivë shqiptarë, ndërsa i pari ishte kriza politike (Luhatje të marrëdhënieve ndërshtetërore), të ndjekura nga dëmtimi i mjedisit nga dora e njeriut; më pas mangësi në masat e sigurisë kibernetike dhe e katërta kriza e borxhit.
Shqetësimet e ngritura nga drejtuesit shqiptarë në raportin e 2023 janë gjithashtu të ndryshme nga ato globale, ku mbizotëron “Kriza e furnizimit me energji”, që është e para, e ndjekur nga “Kriza e kostos së jetesës”; “Inflacioni në rritje”; “Kriza e furnizimit me ushqime” dhe “infrastruktura për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike”.
Raporti
Kriza e kostos së jetesës do të jetë rreziku më i madh global gjatë dy viteve të ardhshme, paralajmëroi Raporti i Rreziqeve Globale, publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.
Inflacioni global mbetet në nivele të larta pasi kostot e energjisë dhe ushqimit u rritën vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Kufizimet e furnizimit të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit kanë kontribuar gjithashtu në çmime më të larta të konsumit prej dekadash.
“Konflikti dhe tensionet gjeoekonomike kanë shkaktuar një sërë rreziqesh të ndërlidhura globale.
Këto përfshijnë vështirësitë e furnizimit me energji dhe ushqim, të cilat ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për dy vitet e ardhshme, shoqëruar me rritje të madhe në koston e jetesës dhe shërbimi i borxhit”.
Në raport thuhet gjithashtu se “kriza të tilla rrezikojnë të minojnë përpjekjet për të trajtuar rreziqet afatgjata, veçanërisht ato që lidhen me ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe investimet në kapitalin njerëzor”.
Raporti e përshkroi krizën e kostos së jetesës si “rrezikun më të madh në terma afatshkurtër” deri në vitin 2025, e ndjekur nga fatkeqësitë natyrore, ngjarjet ekstreme të motit dhe “përplasja gjeoekonomike”.
“Rreziqet afatshkurtra dominohet nga energjia, ushqimi, borxhi dhe fatkeqësitë,” tha Saadia Zahidi, një drejtore menaxhuese në Forumit.
Raporti u bëri thirrje “liderëve të veprojnë kolektivisht dhe me vendosmëri, duke balancuar pikëpamjet afatshkurtra dhe afatgjata”./monitor