Negociatat e paqes me Ukrainën do të ishin ‘të pakuptimta’ në vazhdën e vendimit të Perëndimit për të dërguar tanke moderne luftarake në Kiev, deklaroi sot zyrtari i lartë rus, Sergei Ryabkov. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Ryabkov kritikoi dërgesat e ardhshme nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe vendet e tjera si një ‘hap shkatërrues’ që shërben vetëm për të përshkallëzuar luftën që Moska filloi gati një vit më parë.
Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve “Ria Novosti”, Ryabkov tha se Moska nisi pushtimin pasi qeveria në Kiev kërcënoi ‘interesat e sigurisë’ të Rusisë. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin e pabazë se Kievi po persekuton rusët etnikë dhe qytetarët rusishtfolës, në lindje të Ukrainës. Ryabkov tha se për shkak të transferimeve të planifikuara të tankeve nuk kishte kuptim të flitej me negociatorët nga Kievi ose ‘mjeshtrat e kukullave’ në Perëndim.