Partia Socialiste do të ketë kryetarin në të gjitha KZAZ-të me numër çift, në atë me numër tek do të drejtojë Partia Demokratike. Ky ka qenë rezultati i shortit i hedhur sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një vendim të para pak ditëve u përcaktua se anëtarët e KZAZ-ve që do të propozohen sipas rezultateve që morën në zgjedhjet e fundit partitë: 2 PS, 2 PD, 1 PSD e Tom Doshit dhe 1 anëtar nga Partia e Lirisë. Anëtari i shtatë zgjidhet me short mes PD e PS. Pra, ndonëse është i pari që ka kristalizuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha, që ende kërkon vulën e partisë në dyert e gjykatës, njëjtë si më 6 mars, nuk do të ketë as në këto zgjedhje, anëtar në Komisionet e Administrimit të Zonave Zgjedhore.

I pyetur se çdo të ndodhë me regjistrimin e Berishës apo Alibeajt me logon e PD, Komisioneri Celibashi është shprehur se gjithçka do të vendoset në bazë të asaj që ndodh në gjykatë.