Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përmendur përgjegjësinë historike të Gjermanisë për vrasjen e miliona hebrenjve në periudhën e nazizmit, teksa ky shtet përkujton viktimat.
“Vuajtjet e 6 milionë hebrenjve të vrarë pafajësisht janë të paharruara – ashtu sikurse vuajtjet e të mbijetuarve”, ka shkruar Scholz në Twitter.
Në kuadër të përkujtimit të viktimave në Gjermani, e mbijetuara e Holokaustit, Rozette Kats pritet të flasë para Parlamentit gjerman.
Presidentja e Parlamentit gjerman, Bärbel Bas, do të hapë takimin e veçantë, në të cilin pritet të marrë pjesë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Ceremonia përkujtimore e këtij viti fokusohet në njerëzit që janë persekutuar nga nazistët për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit. Më 27 janar 1945, ushtarët e Ushtrisë së Kuqe kanë çliruar të mbijetuarit e kampit të koncentrimit Aushvic në Poloni. Nazistët kanë vrarë më shumë se 1 milion njerëz atje, kryesisht hebrenj.
Përveç vrasjeve në këtë kamp, gjenocidi i kryer kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i njohur si Holokaust, ka rezultuar me vrasjen sistematike të rreth 6 milionë hebrenjve. Kjo datë, 27 janari, shënohet në Gjermani si Dita e Përkujtimit të Holokasutit, prej vitit 1996./ REL