Filmi “Sheets” i regjizores Evi Gjoni fitoi në fundjavë dy çmime në Festivalin prestigjioz të Filmit në Trieste.
I vendosur në dimension distopik, në realitetin e një bote të izoluar tërësisht prej një armiku të panjohur dhe të padukshëm, filmi sjell përjetimin e një familje që përballet me një dilemë ekzistenciale: A duhet të ruajë dinjitetin njerëzor, duke rrezikuar vetë sigurinë e tyre?
Filmi, i cili ndërton një paralele imagjinare me kohën e karantinës, fitoi në Edicionin e 34 të Festivalit të Triestes Çmimin e Publikut dhe Çmimin e Posaçëm të Jurisë.
I xhiruar në zonën e Krrabës, në afërsi të Tiranës, filmi është një prodhim i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
QKK dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjithashtu ndanë këtë sukses të rëndësishëm për vendin, duke postuar në rrjetet e tyre sociale.
Evi Gjoni është aktualisht pjesë e “Harabel Contemporary Art Platform”, si ish-regjizore e Teatrit të Metropolit dhe midis të tjerave, koordinatore e Festivalit “Dea Open Air International Film Festival”.
Më parë, ajo ka pasur përvoja si regjizore apo asistent regjizore në disa filma të rëndësishëm, si “Castle Freak”, “Zound”. “Luanët drejt Venecias”, “Love”, “Portreti i Pambaruar”, etj.