Te Juventusi, sa i përket menaxhmentit dhe pronarëve, ka zhgënjim të madh pas nokautit të rëndë në Napoli. Për mirë a për keq, nga 8 fitoret radhazi deri në disfatën 5-1 të stadiumit “Maradona”, përgjegjësitë më të mëdha i ka Massimiliano Allegri, i cili në të ardhmen e afërt, shkruan “Gazzetta dello Sport”, nuk rrezikon postin e tij, por që është padyshim nën vëzhgim në funksion të verës.

Në nivelet më të larta të klubit po zhvillohen diskutime, me Allegrin që ka në krah kontratën e pasur prej 7.5 milionë euro, plus bonuse deri në vitin 2025, dhe renditjen që për momentin do të fliste për kualifikimin në fazën e grupeve të Champions League.

Por emrat e Antonio Contes dhe Zinedine Zidane mbeten aty, në sfondin e salloneve bardhezi. Për momentin pronarët nuk e ka si prioritet ndryshimin në stol, edhe ngaqë lamtumira e Allegrit dhe ardhja e njërit prej të dyve do të kushtonte nga 60 deri në 90 milionë euro. Por gjithçka do të vendoset nga rezultatet në fund të këtij sezoni.