Shkollat e reja, me palestra dhe terrene sportive, janë kthyer edhe në qendra komunitare pas orëve të mësimit. Një prej tyre është dhe palestra e shkollës së re “Betim Muço” në Kombinat e cila shërben pas mësimit si Qendër Komunitare.
Përmes një postimi një rrjete sociale, kryebashkiaku Erion Veliaj i ka bërë thirrje komunitetit të zonës që ta shfrytëzojnë atë për aktivitete fizike pas mësimit ose në fundjavë.
“Yll palestra e shkollës “Betim Muço” – Qendër Komunitare. Ju mirëpret për aktivitet fizik! Tirana Qyteti Europian i Sportit 2023”, shkruan Veliaj.
Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka nisur zbatimin e projektit të shkollave si qendra komunitare, duke shfrytëzuar mjediset sportive të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qytetit për sportistët e rinj.
Bashkia e Tiranës synon të nxisë të rinjtë të angazhohen në ushtrimin e sporteve të ndryshme, si dhe të evidentojë fëmijët që mund të kenë talente në sporte specifike, me fokus formimin e fëmijëve në aspektin fizik dhe mendor, si mjet për të luftuar sedentarizmin dhe shmangur çdo formë të shfaqjeve negative të kohës.