Nga Adriatik Doçi

Pas komunikimit të akuzës së shpërdorimit të dyfishtë të detyrës në bazë të Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, SPAK pritet të referojë në Gjykatën e Posaçme dosjen e Fatmir Mediut për Gërdecin. Fillimisht dosja do të verifikohet nga gjyqtari paraprak, i cili vendos për kalimin e dosjes për gjykim, pushimin e çështjes ose kthimin e dosjes për hetime të mëtejshme. Nëse dosja kalon për gjykim, një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Posaçme do të gjykojë rolin e Fatmir Mediut në tragjedinë e Gërdecit, në cilësinë e ish ministrit të Mbrojtjes. Si do që të jetë vendimi i Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, palët ka gjasa që t’i drejtohen Apelit. Do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të vendosë në mënyrë të prerë, nëse Fatmir Mediu do të shkojë në burg apo do të dalë i pafajshëm.

Nga shkalla e parë pritet të ketë një vendim brenda vitit 2023 për Fatmir Mediun. Një vendim të formës së prerë pritet të dalë të paktën brenda vitit 2024. Nëse Apeli dënon Fatmir Mediun, ky i fundit shkon në burg vetëm nëse gjykata vendos si në rastin e Saimir Tahirit, pra duke evituar shërbimin e provës, por vuajtjen e dënimit në një burg të nivelit të sigurisë siç e parashikon gjykata. Nëse dosja rikthehet për hetime të mëtejshme, SPAK do të zgjerojë dhe thellojë hetimet për vepra të tjera të mundshme penale që mund të ketë kryer Fatmir Mediut dhe persona të tjerë, sipas detyrave që vendos gjyqtari paraprak. Nëse gjyqtari paraprak pushon çështjen, SPAK mund t’i drejtohet Apelit.

Po si u rihap dosja e Gërdecit? Cilat janë hapat deri në marrjen të pandehur të Fatmir Mediut?

-Në 26 shkurt 2021, Zamira Durdaj, e cila humbi djalin 6-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, iu drejtuar SPAK-ut, duke kërkuar ndjekjen penale të Fatmir Mediut, me arsyetimin se tashmë nuk ekziston më pengesa ligjore që pengon vazhdimin e gjykimit. Kujtojmë që Gjykata e Lartë, në 14 shtator të vitit 2009, mbylli dosjen për Fatmir Mediun, me argumentin se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe si i tillë kishte imunitet, ku për pasojë nuk mund të gjykohej.

-Në 5 maj të vitit 2021, SPAK-u iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke i kërkuar zhbërjen e vendimit të 14 shtatorit 2009 të Gjykatës së Lartë, e cila kishte pushuar çështjen, për t’i hapur rrugë procedimit të Fatmir Mediut për rolin e tij në korrupsionin dhe shpërthimin e Gërdecit.

-Në 1 qershor 2021, Gjykata e Lartë referoi kërkesën e SPAK-ut për hapjen e procesit penal ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykatë kompetente që ka juridiksionin fillestar tashmë për çështje penale të zyrtarëve të lartë.

-Në 27 korrik 2021 2021, gjyqtari Erjon Çela pranë Gjykatës së Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për rihapjen e çështjes, duke konfirmuar pretendimet e Fatmir Mediut. Argumenti themelor i gjyqtarit ishte se, pse Prokuroria, nga viti 2012, kur deputetëve u është hequr imuniteti nga ndjekja penale, nuk kërkoi vijimin e procedimit të Fatmir Mediun për dosjen e Gërdecit, por u kujtua pas 9 vitesh, kur edhe vepra penale për të cilën akuzohet Mediu (shpërdorim detyre) është parashkruar. Sipas gjyqtarit, kishin kaluar 12 vite dhe vepra penale ishte parashkruar.

-Në shtator 2021, SPAK ankimoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kundër vendimit të gjyqtarit Çela bënë ankim edhe prindërit e viktimës 6-vjeçar, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj. SPAK dhe familja e viktimës argumentuan se Fatmir Mediu nuk është gjykuar për faktet penale për të cilat ai është akuzuar, por çështja është pushuar për shkak të imunitetit. Sipas tyre, afatet e parashkrimit veprojnë kur presoni nuk është marrë i pandehur. Në rasatin konkret, Mediu është marrë i pandehur dhe afati i parashkrimit bie në momentin e marrjes i pandehur.

-Më 13 shtator 2021, Fatmir Mediu, i asistuar nga mbrojtësi Ardian Visha, dërgoi një memo pranë Gjykatës së Apelit, duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të gjyqtarit të shkallës së parë Erjon Çela, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e SPAK-ut për hapjen e dosjes së Gërdecit. Mediu u qëndronte argumenteve të gjyqtarit Erjon Çela, duke pretenduar se vepra penale ishte parashkruar dhe se ai ishte gjykuar një herë.

-Në 24 shtator 2021, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela, duke pranuar kërkesën e SPAK-ut për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 14 shtatorit 2009, e cila shpëtoi Fatmir Mediun, duke i mbyllur dosjen Gërdeci për procedurë. Sipas Apelit, pushimi i çështje në shtator 2009 nga Gjykata e Lartë, nuk është një vendim dënimi dhe as fajësie. Pezullimi i gjykimit, sipas Apelit, nuk përfshihet tek parashkrimi. Gjykata e vlerëson procesin ndaj Mediut, si një proces në vazhdim, që nga 2009, pa një vendim për fajësinë apo pafajësinë. Sipas Gjykatës së Apelit, afati i parashkrimit është ndërprerë që në momentin që Fatmir Mediu është marrë i pandehur në 11 shkurt 2009.

-Më 1 nëntor 2021, Fatmir Mediu paraqiti rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit që i jepte të drejtë SPAK-ut të hapte dosjen e Gërdecit, si dhe lënien ne fuqi të vendimit të gjyqtarit Erjon Çela.

-Më 12 dhjetor 2021, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda kryesues, Albana Boksi dhe Sokol Binaj anëtarë, vendosën që të mos e pranonin rekursin e Fatmir Mediut, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

-Më 10 janar 2023, pas 1 viti hetime, SPAK i komunikoi dy akuza Fatmir Mediu në lidhje me përgjegjësinë penale të tij në tragjedinë e Gërdecit. SPAK përsëriti dy akuzat e Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2009, shpërdorim detyre sipas Kodit Penal dhe shpërdorim detyre sipas Kodit Penal Ushtarak./Shqiptarja.com