Nga Ylli Pata/
Vitet ikin si uji i përrenjve dhe liqeneve të kaskadës që mbysin çdo vit fshatrat e Nënshkodrës. Ndërsa Ana e Malit, Dajçi, po më shumë pjesa mbas Kalasë përjeton një shkatërrim ekonomik kolosal, në Tiranë gëzojnë se janë rritur kuotat e ka energji.
Por loja politike këtu nuk luan, ka një fabul, siç edhe Sali Berisha e tha sot. Pasi sulmoi për dy vite djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, 4 vjet më pas doktori tha se nuk hyn në zgjedhje nëse kryeministër është Edi Rama. Skenar i njëjtë me 2019.
Argumentet janë të si dy pika uji: narko shteti, abdylajt, patronazhistët e shumë jistifikime që shtohen.
Kjo tregon se ora që ka mbetur nuk ka lidhje fare as me Lulin e as me shokët e tij, por kjo është thjesht një supe e vjetër që Saliu ngre e ul si për mëngjes si për drekë a për darkë prej 30 vjetësh.
Pasi kur e kërkon pushtetin e nuk i vjen, bën shantazh, kur nuk merr sinjal rrit dozën, e shton presionin, duke futur edhe duart të krahu tjetër për të arritur çarjen. Duket si strateg Berisha e ngjan si një romak i lashtë që përdor të famshmen aksiomë “divida ed impera”. Po asnjëherë nuk ka menduar që të krijojë një model që t’i pëlqejë shumë demokratëve, më pak socialistëve, e elektoratit gri t’i prisht mendja.
Pasi ka pasur një rrugë të shkurtër: me Ilir Metën, Berisha arriti që brenda PS-së një grup i madh thonin: Sala është njish, na duhet një si ai. Por prej sa Edi Rama ka ardhur në krye të PS-së, i cili ka një model të tijin politik Sali Berisha ka llocur. E gjithë energjia e tij politike është përdorur jo sit ë gjejë e prodhojë një ide e model anti-rama, po si ta rrëzojë kryetarin e PS-së, njëkohësisht kryeministër.
Përse Sali Berisha nuk e ka prodhuar një model? Ka disa arsye: e para duhet thënë se ka tentuar dikur në vitin 2007, me të ndjerin Sokol Olldashin që e vuri përballë Edi Ramës në zgjedhjet për kryetar bashkie.
Një model qytetar, human, politik që në fund ishte një precedent politik totalisht ani-berishë. Deklarata e Sokol Olldashit pasi humbi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës është një nga ato mesazhet, që politika shqiptare nuk se i përjeton shpesh. Ishte një deklaratë e Sokol Olldashit-politikan, gazetar e intelektual por dhe njeri, i cili tentoi të flasë në radhë të parë me votuesit e tij që ishin të shumtë.
Edi Rama, si një njeri politik nga më studiozët në vend sipas gjasave ka parë tek Sokol Olldashi rivalin e tij politik, i cili ndryshe nga Sali Berisha, ishte më i ri, ndryshe nga Sali Berisha ishte poet, ndryshe nga Sali Berisha ishte më bohem dhe human, ndryshe nga Sali Berisha ishte i përndjekur i regjimit komunist, ndryshe nga Sali Berisha ishte nga jugu. E sipas gjasave mund të bëhej pa frikë një lider i rëndësishëm.
Sali Berishës, këtë fakt ja kanë thënë këshilltarët e huaj që ndihmuan fushatën e PD-së në vitin 2007, e pikërisht nga kjo, ai e la në hije, nuk e afroi, e më pas zhvillimet dihen.
Por përveç Sokol Olldashit, brenda PD-së janë krijuar realitete të rëndësishme politike nga viti 2005 deri 2009 përpara se të prekte virusin e tmerrshëm me katër deputetë.
Gjergj Bojaxhi, një teknokrat liberal që drejtoi KESH-in e më pas edhe INUK, tentoi të marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Tiranës. Bojaxhi, realisht arriti të ketë edhe përkrahje në grupseksione të rëndësishme të PD-së, por Berisha në fund vulosi Aldo Bumçin, njeriun e faksit të Gërdecit.
Më pas dihet gjithçka’ vuri Lulzim Bashën, e përkrahu për 9 vjet, e më pas kur ky i fundit e largoi nga grupi e shpalli tradhëtar, e sot ka të tjerë njerëz. Po si avaz ka të njëjtin: Nuk hyj në zgjedhje me Ramën kryeministër. Po kë do Berisha kryeministër, e si do e emërojë?
Normalisht formula është një qeveri teknike, e cila në një mënyrë surrogate edhe u provua në 2017. Po përse nuk tentojnë të fitojnë zgjedhjet bashkiake, e më pas ato parlamentare, duke sfiduar kryeministrin Edi Rama? Kjo është realisht dilema që nuk ka marrë asnjëherë përgjigje!