Ish-anëtari italian i Parlamentit Evropian, Pier Antonio Panzeri ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet belge për hetimet e skandalit të korrupsionit në këmbim të një dënimi më të ulët. Ish-deputeti i Parlamentit Evropian është një nga katër të dyshuarit që janë arrestuar në Belgjikë.

Sipas një njoftimi për shtyp nga autoritetet belge, Panzeri do të informojë hetuesit për detajet kyçe në hetim nëse vendet e huaja, përfshirë Katarin, kanë ndikuar ilegalisht në punën e PE. Panzeri do të japë informacion mbi marrëveshjet financiare, vendet e përfshira, kush përfitoi dhe kush u përfshi.

Avokati i tij, Laurent Kennes tha se Panzeri “pranon se ka marrë pjesë në akte korrupsioni”. “Ai gjithashtu pranon pjesëmarrjen në një organizatë kriminale dhe sipas termave të përdorur nga zyra e prokurorit publik, ai pranon se është lider ose një nga drejtuesit e organizatës kriminale,” tha Kennes.

Veçanërisht, Panzeri ka pranuar gjithashtu të zbulojë emrat e atyre që kanë dhënë ryshfet, tha prokurori. Panzeri dhe euro-deputetja greke Eva Kaili, së bashku me dy persona të tjerë janë tashmë të arrestuar nga autoritetet belge dhe përballen me akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin e Brukselit. Katari ka mohuar ashpër se është përpjekur të fitojë ndikim përmes dhuratave dhe parave. Maroku gjithashtu ka hedhur poshtë me forcë akuzat.