SPAK lëshoi 5 urdhër arreste për emrat e njohur të botës së krimit që dyshohet se kanë gisht në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit u bë atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Makinës ‘Benz’ me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurorit Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Ndërsa prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, morën trajtim në spitalin e Durrësit dhe nuk morën lëndime që i rrezikonin jetën. Nën akuzë për atentatin ndaj ish prokurorit janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.