Një person ka plagosur me thikë disa të tjerë në stacionin e trenit Gare du Nord në Paris mëngjesin e së mërkurës, raportuan mediat franceze. Sulmuesi është “neutralizuar shpejt” nga policia, shkroi në Twitter ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, pa dhënë detaje të tjera.
Sipas raportimeve, sulmi ndodhi në orën 06:40 brenda stacionit të trenit. Stacioni ku raportohet se ka ndodhur sulmi është një prej stacioneve më të frekuentuara në Evropë dhe është një linjë e rëndësishme që lidh Parisin, Londrën dhe veriun e Evropës.
Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe se trenat janë duke operuar normalisht, raportoi Franceinfo. Ndërkaq, televizioni BFM tha se policia ka përdorur armë zjarri për të ndaluar personin e dyshuar.