Sulmet kibernetike iraniane në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit ka bërë që Qeveria të rrisë në mënyrë të ndjeshme investimet për mbrojtjen në internet. Ministri i Brendshëm Çuçi dha disa detaje sot në konferencë për mediat.

“Ne kemi bërë të mundur që në vitin 2023 të kemi 7.6 herë investimet në fushën e teknologjike për policinë e shtetit. Vetëm nga burimet e policisë së shtetit, pa përfshirë financimet që pritet dhe na janë premtuar nga partnerët tanë. Që do të jenë kryesisht për fushën kibernetike. Ne po punojmë për ngritjen e një agjencie kombëtare për mbrojtjen kibernetike. Këto i kemi parashikuar të gjitha si investime për vitin 2023. Do të jemi një nga vendet me infrastrukturën më të mirë për mbrojtjen kibernetike”, ka thënë Çuçi.