sh-kryeministri britanik, Boris Johnson ka bërë një rrëfim të jashtëzakonshëm për BBC në një dokumentar të titulluar “Putini kundër Perëndimit”. Johnson thotë se Putini e kishte kërcënuar se do e vriste me një raketë, pasi kryeministri britanik e paralajmëroi që të mos pushtonte Ukrainën. “Boris, nuk dua të të lëndoj, por me një raketë, do më duhet vetëm një minutë,” i tha ai gjatë një telefonate të gjatë më 2 shkurt të vitit 2022, përpara se Rusia të niste luftën në Ukrainë.
BBC
Është e pamundur të dihet nëse kërcënimi i zotit Putin është i vërtetë.
Megjithatë, duke pasur parasysh sulmet e mëparshme ruse në Mbretërinë e Bashkuar- së fundmi në Salisbury në vitin 2018- çdo kërcënim nga lideri rus, sado i lehtë të duket në pamje, është ndoshta një kërcënim që zoti Johnson nuk do të kishte zgjidhje tjetër, veçse ta merrte seriozisht.
Nëntë ditë më vonë, më 11 shkurt, sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace fluturoi për në Moskë për të takuar homologun e tij rus, Sergei Shoigu.
Dokumentari i BBC-së zbulon se Wallace u largua me garanci se Rusia nuk do të pushtonte Ukrainën, por ai tha se të dyja palët e dinin se ishte një gënjeshtër.
Ai e përshkroi këtë si një demonstrim force: Unë do të gënjej, ti e di që po gënjej dhe unë e di që po gënjej dhe do gënjej akoma.
“Unë mendoj se qëllimi ishte për të thënë ‘unë jam i fuqishëm’,” tha zoti Wallace.
Ai tha se kjo gënjeshtër mjaft rrëqethëse, por e drejtpërdrejtë, kishte konfirmuar besimin e tij se Rusia do të pushtonte Ukrainën.
Teksa u largua nga takimi, ai tha se gjenerali Valery Gerasimov- shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë- kishte thënë se ‘ne nuk do të poshtërohemi më kurrë’.
Më pak se dy javë më vonë, ndërsa tanket rrotulloheshin mbi kufirin më 24 shkurt, Johnson mori një telefonatë në mes të natës nga presidenti Zelensky.
“Zelensky ishte shumë i qetë. Por më tha: e di çfarë, ata po sulmojnë kudo,” kujton Johnson.
Zoti Johnson thotë se ai i ofroi ndihmë për ta zhvendosur presidentin ukrainas në një vend të sigurt.
“Ai nuk e pranoi atë ofertë. Ai qëndroi heroikisht aty ku ishte”.