Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Devoll. Vasil Babinis ka goditur me sëpatë në kokë 73 vjeçarin Vasil Begolli, i cili ndodhet në spital. Ky i fundit ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë se ishte rrëzuar aksidentalisht në oborrin e banesës së tij.
Por nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se Vasil Babinis, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll kishte goditur sëpatë në kokë 73-vjeçarin për motive të dobëta, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë për mjekim të specializuar.
Të dy kanë qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë është bërë i mundur arrestimi i autorit të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Falë veprimeve hetimore të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Bilishtit, kishte shkuar për ndihmë mjekësore një shtetas i dëmtuar në kokë, menjëherë kanë shkuar në spital, me qëllim verifikimin e rastit. Shtetasi i dëmtuar V. B., 73 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, ka deklaruar fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij.
Falë hetimeve të thelluara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Menkulas”, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Nga provat e siguruara nga hetimi rezultoi se shtetasi V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për motive të dobëta, kishte goditur me mjet të fortë (sëpatë), në kokë, 73-vjeçarin, i cili do të transportohet nga spitali i Korçës në Spitalin e Traumës Tiranë, për mjekim të specializuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll arrestuan në flagrancë shtetasin V. B., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.