Superliga evropiane e ka bërë një hap të rëndësishëm në sfidën e saj kundër UEFA-s dhe FIFA-s. Gjykata komerciale e Madridit në fakt e ka pranuar ankesën e A22Sports, duke vërtetuar se Superliga ka legjitimitet dhe se klubet që bëjnë pjesë ende (Juventus, Real Madrid e Barcelona) nuk mund të ndëshkohen nga UEFA dhe nga FIFA, njofton mediumi spanjoll “AS”. Prandaj, është e mundur të krijohet një garë e pavarur dhe alternative sepse “FIFA e UEFA nuk mund ta justifikojnë sjelljen e tyre anti-konkurruese sikur të ishin ruajtësit e vetëm të vlerave evropiane, veçanërisht nëse kjo e vendos një monopol, i cili e përjashton dhe e pengon iniciativën e një konkurrenti. Është një veprim që e përfaqëson një abuzim nga ana e atyre që e mbajnë një pozicion dominues”, shkruan në vendim.
Me këtë rast, vendimi “i urdhëron FIFA-n e UEFAN që t’i mbajnë duart larg nga ndonjë dënim apo masë e çfarëdoshme, apo që ta pengojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi përgatitjen ose zhvillimin e Superligës. Gjithashtu, ju ndalohet këtyre institucioneve të futbollit që ta kërcënojnë apo që ta marrin ndonjë masë sanksionuese ndaj klubeve, drejtuesve dhe njerëzve të klubeve dhe të lojtarëve që marrin pjesë në përgatitjen e Superligës”.
Shumë klube ishin dorëzuar dhe tërhequr nga iniciativa e krijimit të Superligës së Evropës, pas kërcënimeve të UEFA-s se ajo do t’i përjashtonte ato nga garat që i organizon, por edhe nga ligat nacionale të shteteve përkatëse ku marrin pjesë. Vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi iu rezistuan kërcënimeve dhe mbetën me qëndrimin që ta organizojnë Superligën evropiane, që është paralele me Ligën e Kampionëve.