Nga Jakin Marena
Ish kryeministri Sali Berisha, njëherësh dhe kreu i “Rithemelimit” në PD ka dalë para mediave në një gjendje aspak normale, duke folur përqart. Duke qënë se me PD-në ka ‘mbaruar punë”, e ka çuar në fazën e fundit të zhdukjes partinë më të madhe opozitare, teksa e ka ndarë në dy apo më shumë pjesë dhe i ka zënë frymën, sot ka qënë i përqëndruar si gjithnjë në sulmet e tij ndaj kryeministrit Edi Rama.
Akuzat e Berishës nisnin me Ramën, vijonin me inceneratorët, kapërcenin tek Xhaçka, arrinin deri në Uashington, dhe më pas riktheheshin sërish tek kryeministri. Pasi përmblidheshin pa asnjë rregull, duke ngatërruar akuzat, që nisnin për shpenzimet e udhëtimeve qeveritare me çartër dhe ngatërruar me tregtinë me Kolumbinë sipas tij të rritur 60 herë nga viti 2015, aludonte për trafik droge me çartër, a thua ky mjet fluturues, kalonte mbi shtete jashtë radarit, ulet e ngrihej pa lajmëruar kullat e orientimit, lëvizte sërish pa u parë nga asnjë mjet i sofistikuar apo me sy të lirë. Qorra ata, Berisha vigjilent!
Kreu i “Rithemelimit” ka aluduar duke hedhur për “dyshimet” e tij se çarteri kryeministror, nuk dimë të ketë një të tillë qeveria shqiptare, ka bërë udhëtime të dyshimta. Ai thotë se janë 137 fluturime. Sipas Berishës “ka dyshime të forta për destinacionet dhe përdorimin e avionit. Unë mund t’u them vetëm që importet nga Kolumbia janë rritur 60 herë dy vitet e fundit, e tëra kokainë. A ka një paralelizëm me fluturimet e ‘Ismailit’? Asgjë nuk është e sigurt, por rumori zien se avioni është përdorur për qëllime të tjera”. Madje, teksa i është ‘sjellë’ rrotull e rrotull këtyre ‘dyshimeve’, Berisha është shprehur se në mos çarteri ka shkuar në Kolumbi, ai ka shkuar në gjysmë të rrugës sipas tij, duke akuzuar se ka pasur trafik e për këtë duhet të hetohet.
Berisha e ka pasion intrigën. Hedh një akuzë, si shkarazi, e pastaj bën thirrje që për ta vertetuar duhet të hetojë drejtësia. Megjithëse e ka të pamundur çdo drejtësi në botë të hetojë nëpër ‘gropat’ e mendjes së Berishës, i cili shpik gjithçka sa herë që është në hall. Thjeshtë dhe vetëm për të larguar vëmendjen nga halli i tij personal me SHBA, Britaninë, BE, drejtësinë dhe PD-në.
E themi këtë sepse Rama, duke qënë një i apasionuar i madh i ‘selfieve’, sa herë udhëton në linjë ajrore, kur shkon në vizita të ndryshme jashtë vendit, e jo në çartër, ka maninë që të bëjë dhe dërgojë video herë duke bërë ironi me veten, herë me “çunat e Londrës”, herë me udhëtarë të thjeshtë, e herë dhe me ndonjë zyrtar me të cilin udhëton, duke e “dokumentuar” gjithçka nga udhëtimi ajror e hedhur në rrjetet sociale, e ku në shumicën e rasteve janë bërë dhe pjese e lajmit për mediat. Pra udhëtimet e tij janë lehtësisht të verifikueshme nga të gjithë. Dhe as që bëhet fjalë për çarter qeveritar.
Ndërsa ajo që na bëri përshtypje në daljen e Berishës para mediave këtë të premte ka qënë gjendja e tij, aspak në ‘binarë’ jo për një kryetar të një grupimi të madh opozitar brenda PD, apo ish presidenti e ish kryeministri, por as për një njeri që është në kufijtë minimalë të normalitetit.
Berisha këtë të premte po fliste përçart, fjalitë dhe ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra tjetrën, ishin tërësisht jashtë konfigurimit, dhe që konfondoheshin ngjarje, veprime, data dhe lëvizje, pa asnjë përqasje dhe pa asnjë renditje të paktën kronologjike. Pra fliste me një logjikë, që ishte përtej kufijve të të qënit normale apo me mendje të shëndoshë.
Biem të gjithë dakord, se në 32 vite jemi mësuar të dëgjojnë akuza të amplifikuara rëndë të Berishës për gjithçka, qoftë kundër Nanos, qoftë kundër Metës, qoftë kundër Ramës, dhe mbi të gjitha kundër të vetëve brenda PD. Por këtë radhë ishin vërtet jashtë realitetit me aludimet e akuzat e tij.
Jemi dakord që në këtë situatë në të cilët ndodhet PD dhe vetë Sali Berisha, atij i duhet të lëshojë një akuzë të madhe, po tepër të madhe për të hequr vëmendjen nga diçka që atij i “djeg”. Por jo në të tilla përmasa, sa i madh dhe i vogël e di që në krye të herës se është një lajthitje tepër e madhe, jo më që ta besojë. Dhe me këtë nivel të lartë pabesueshmërie.
Por Berisha është në hall. Sepse po fillon dhe hetimi i pasurisë së tij, pasi është hapur çështja e vjedhjes së arit në Thesarin e shtetit, por dhe akuza të tjera si “Gërdeci”, afera CEZ-DIA, privatizimi i ish kompleksit “Partizani” dhe mbi të gjitha ’21 janari’, ku Garda e Republikës me urdhër të tij vrau në mes të bulevardit 4 demonstrues të opozitës së atëhershme. Dhe meqë jemi te 21 janari 2011, këtë të shtunë mbushën plot 12 vite nga ky krim i tmerrshëm shtetëror, ku Garda vret protestuesit të cilët ushtrojnë një të drejtën e tyre legjitime. Një krim pa ndëshkim ky.
Berisha, me sa duket për t’i dalë para kësaj ngjarjeje e për ta ‘zhurmuar’, u shpreh para mediave dhe sot se 21 janari ishte një akti anti-kushtetues i Ramës dhe mbështetësve të tij. Për të Garda ka zbatuar ligjin duke vrarë 4 demonstrues të pafajshëm, pasi “ishin sjellë të gjithë nga Rama me qëllim për të rrëzuar Sali Berishën, për të pushtuar Kryeministrinë. E u përdorën të gjitha mjetet e dhunës, përfshirë armët e zjarrit e plumbat në dritaren e zyrës së kryeministrit, që ai po punonte aty”.
Madje thotë se gjithçka ishte hetuar, pavarësisht se zhduku Berisha të gjitha provat e pengoi prokurorinë të bënte arrestimet e nevojshme për zbardhjen e krimit. Për më tepër që akuzoi kryeprokuroren Ina Rama dhe kreun e shtetit Topi si kokat e ‘puçit” kundër tij bashkë me Edi Ramën. Ndaj Berisha e shfrytëzoi këtë dalje për mediat dhe për të bërë zhurmë, meqë nesër është 21 janari, përvjetori i dymbëdhjetë i masakrës së tij para kryeministrisë. Pra, nuk shfaqi pendesë.
Teksa i kthehemi shkakut të vërtetë të tronditjes së Berishës pas mesazheve të Yuri Kim, që i ka sjellë në kujtesë dosjet e rënda që ka në SPAK, ajo që mund të themi është se ish kryeministri përpiqet të shmangë vëmendjen nga e vërteta, duke hedhur të pavërteta të kulluara, pa i lëvizur asnjë muskul i fytyrës. Si rasti i lidhjes së udhëtimeve me çartër me Kolumbinë.
Ne e dimë që Berisha nuk pyet askënd për atë që thotë dhe atë që bën. Por të paktën të pyesë djalin e tij se si bëhen këto punë. Të paktën ai i di teorikisht se nuk po e akuzojmë se është marrë vetë me trafik droge. Me këtë “zeje” nuk kemi dëgjuar të jetë “azhornuar”, ndërsa për gjërat e tjera me shumë lekë ka akuza se është ‘usta’ perfekt.
Por mund të themi se Shkelzeni duhet të ketë dëgjuar ndonjë gjë dhe që i është fiksuar në ato darkat e drekërat me miqtë e tij me shumë lekë. E kemi fjalën për “Klanin Osmani”. I cili ka qënë gjithnjë në qendër të debateve të shtypit gjerman për lidhje me nëntokën e mafias, trafiqeve të të gjitha llojeve, lojërave të fatit dhe industrisë së seksit.
Ata kanë qënë sponsorët e PD në vitin 2005, në lidhjen e kontratës së PD me BG&r, e më vonë pronarët realë të lojërave të fatit në Shqipëri. Nuk themi se i kanë bërë pjesë Shkelzenit, atë e dinë organet ligjzbatuese shqiptare apo dhe qendra e regjistrimit të biznesit. Por dimë Qazim Osmani, i njohur dhe si “Feliksi”, ishte pronari i shumicës së makinave që përdoreshin në tregun e lojërave të fatit në vend dhe mik i ngushtë i familjes Berisha.
Dhe pak kohë më parë në një operacion ndërkombëtar nga Europol në disa shtete të Europës u arrestuan 45 persona, nga të cilët 30 shqiptarë, mes të cilëve edhe disa anëtarë të “klanit Osmani”, me të cilët ka miqësi familja Berisha.
Ky klan ishte një nga rrjetet më aktive në Evropë që merrej me trafikimin e kokainës, duke importuar lëndën narkotike nga amerika Latine, ndërsa më pas e shisnin me shumicë. Në Belgjikë u bënë 30 arrestime dhe u sekuestruan 1.3 milionë euro. Gjithashtu aty u sekuestruan një duzinë armësh të lehta, dy me silenciator, dhjetë kilogram kokainë, 13 automjete dhe 1 mijë litra përzierës për përgatitjen e drogës.
Ndërkohë që media shqiptare, ka publikuar pikërisht disa foto të Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, bashkë me bashkëjetuesen e tij Armina Mevlani, në shoqërinë e anëtarëve të klanit “Osmani” në vitin 2016 në ritzi restaurant Puerto Portals.
Dhe teksa akuzohet ky klan për trafikun e drogës që sillej nga Amerika Latine, gjithkush mund të bëjë lidhjen e fjalëve pa lidhje që Berisha deklaroi këtë të premte dyshimet e tij për përdorimin e çarterit për trafik kokaine nga Kolumbia. Dhe Kolumbia në Amerikën Latine është.
Por gjithkush këtë dalje të Berishës para mediave në gjendje të “destabilizuar” tërësisht e lidh me intervistën e një nate më parë të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila paralajmëroi se të gjithë zyrtarët e lartë që kanë bërë korrupsion, krime dhe kanë minuar demokracinë, do të jenë përballë drejtësisë së re për t’u hetuar me themel. Dhe për të marrë atë që meritojnë nëse akuzat vertetohen si të vërteta. Madje do të rihetohen dhe çështjet e vjetra.
“Faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj”, tha mes të tjerave Yuri Kim në intervistën e një nate më parë.
Ndonëse nuk përmendi emra, zyrtari më i lartë ‘non grata’ nga SHBA në Shqipëri, madje familjarisht, është Sali Berisha. Këtë dinë të gjithë shqiptarët. Dhe nëse nuk do ta dinin, dalja e tij sot para mediave dhe publikut dhe deklaratat e tij aspak normale, ishin si për të thënë se paralajmërimi ka qënë për vetë atë, Sali Berishën. U vetëzbulua, thjeshtë me daljen e tij para mediave si për të thënë “e ka me mua”, pa hyrë në llogarinë se çfarë tha ai para mediave.
Për më tepër që Yuri Kim me sa duket e ka prekur dhe në “telin” tjetër që e ka çorientuar Berishën, atë të drejtimit të PD drejt të së ardhmes. Pra jo sipas drejtimit dhe filozofisë së tij. “Shpresa jonë është që Partia Demokratike do të përfaqësojë përsëri të ardhmen, do të jetë përsëri forca që do të jetë e aftë ta tërheqë Shqipërinë përpara, ta drejtojë përpara, jo pas”, tha Yuri Kim.
Kështu që Berisha, këtë të premte ka qënë në një pozitë tepër të vështirë. Ai doli për t’u mbrojtur përballë paralajmërimeve të Yuri Kim, për të zhurmuar 21 janarin përvjetori i 12-të i të cilit është këtë të shtunë, për të bërë presion mbi drejtësinë për akuzat e rënda që janë nën hetim, por dhe për vulën e logon e PD. E në fund të herës për të mbuluar dhe bëmat e familjarëve të tij.