Brazili vijon të jetë në zi për Pele. Sot në qytetin Santos, në stadiumin Urbano Caldeira (por i thirrur nga të gjithë Vila Belmiro), po mbahet vigjilja mortore për O Rey, i cili vdiq 29 dhjetorin e kaluar në moshën 82-vjeçare.
Homazhet nisin në orën 10 me orën lokale (14:00 me orën shqiptare) në vendin që vetë legjenda e kishte treguar si të preferuarin për t’i dhënë lamtumirën fansave të tij. Priten radhë të gjata për të gjitha 24 orët në të cilat impianti do të qëndrojë i hapur.
Arkivoli do të transportohet nga spitali izraelit ‘Albert Einstein’ direkt në stadium dhe do të vendoset në qendër të fushës. Funerali do të bëhet të martën dhe do të paraprihet nga një procesion nëpër rrugët e Santos. Trupi më pas do të varroset në Nekropolin Ekumenik Memorial, pas një ceremonie private të rezervuar për familjen.
Arkivoli i tri herë kampionit të botës do të vendoset në rrethin qendror të fushës, pasi të transportohet nëpër rrugët e Santos dhe të kalojë shtëpinë e nënës së tij 100-vjeçare, Celeste, e cila ende nuk e di që ka humbur të birin. Në ceremoninë e varrimit do të marrin pjesë vetëm familjarët.
Në vigjilje do të marrin pjesë Gianni Infantino (President i FIFA-s) dhe Lula (President i Brazilit), ndërsa prezenca e Neymar nuk është ende e sigurt, ndonëse i skualifikuar për ndeshjen e djeshme në Paris Saint-Germain