E dashuruar në moshën 15-vjeçare dhe e martuar në të 16-at, me ëndrra të mëdha se historia e saj do të ishte njësoj si e përrallave. Ky është rrëfimi i Almës nga Lezha, e cila prej vitesh jeton në Stokholm dhe ndan të shkuarën e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” të “E diela shqiptare” në Tv Klan.
E vendosur për të jetuar përrallën e saj, Alma zbuloi se mjerisht, princi i kaltër nuk ishte dashuruar me princeshën. Pavarësisht sakrificës së saj dhe familjarëve që dëshironin diçka më të mirë për të, ajo zgjodhi të vijonte rrugën e saj, duke i mohuar vetes të vërtetën për hir të dashurisë.
Alma: Unë e kam dashur dhe më ka dashur sigurisht, unë kam krijuar familje me atë person, kam dy fëmijë të mrekullueshëm.
Ardit Gjebrea: Jeni akoma sot bashkë, pyetja e parë?
Alma: Jo, unë kam 11 vite që jam divorcuar.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?
Alma: Kishte një pasion Ardit. Donte shumë lojërat e fatit dhe i donte më shumë se mua.
Ardit Gjebrea: Po pse mendon që është pasion, ajo është varësi. Dhe kur themi lojëra fati, mund ta specifikosh?
Alma: Po baste, sporte, të gjitha ato që luhen dhe që duan kohën, lekët, vëmendjen,të gjitha shkojnë atje dhe asgjë nuk ngelet për familjen. Edhe dashuria në qoftë se është, nuk di ta tregosh më.
Ardit Gjebrea: Kur e zbulove?
Alma: Ato ishin të zbuluara në fakt por kur je i dashuruar nuk shikon qartë, edhe në atë moshë… Familja ime që u mundua jashtëzakonisht shumë të ma ndërronte mendjen dhe të mos më lejonte. Unë kam patur një baba që më frymëzonte të studioj, të bëhem e fortë, më ka plotësuar çdo dëshirë, por aty nuk ma ndërroi dot mendjen, isha shumë këmbëngulëse dhe e pranuan, megjithëse e dinin që do dështoj.