Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për ngjarjen e ndodhur në datën 16.01.2023, në vendin e quajtur “Zona industriale”, Tepelenë, ku disa shtetas kanë goditur me mjete të forta shtetasin K. L., 59 vjeç, banues në Tepelenë (mësues), kanë ndaluar njërin prej autorëve të dyshuar, shtetasin:
A. G., 29 vjeç, banues në Tepelenë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Vetëgjyqësia”.
Vijon puna intensive për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të tij.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë u bë ndalimi i shtetasit të dëmtuar K. L., 59 vjeç, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kallëzimi i rremë”.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.