Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur edhe një tjetër teme që shpesh përbën debat sa i takon ndërtimeve në Tiranë, lidhur me burimin e parave. Ai tha se është e vërtetuar tashmë që, gjysma e këtyre parave kalojnë përmes sistemit bankar, ndërsa pjesa tjetër, e cila për shumë prej kritikëve konsiderohet “e pistë”, vjen nga emigrantët ose të huajt që vendosin të blejnë prona në Tiranë.
“Kritikët e zhvillimit thonë që ndërtimi furnizohet nga para me burime të dyshimta. Ndërkohë që, vetë kritikët e pranojnë që më shumë se gjysma e parave me të cilat blihen apo gjenerohen këto prona vijnë nga sistemi bankar. Për gjysmën tjetër, që nuk ia gjejnë dot burimin, se nuk përpiqen të arsyetojnë, thonë automatikisht se është gjysmë “e pistë”. Për këdo që jeton në Tiranë, gjysma tjetër s’është kaq mister. Mesatarisht 30-35% të ndërtimit e marrin pronarët e tokës dhe pjesa tjetër blihet nga emigrantët tanë që nuk aksesojnë bankat e Shqipërisë, por i marrin paratë nga një bankë, apo kursimet e tyre në Itali, Greqi, Gjermani, Angli, Amerikë apo Kanada,” deklaroi kryebashkiaku.
“Tiranës nuk ia vëmë dot traun, – tha Veliaj, – “për 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit. As nuk e ndajmë dot në vendalinj e të ardhur, sepse ajo është një gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzistojë më. Ne duam ta bëjmë këtë një qytet më të mirë për të gjithë,” tha ai.
Veliaj shtoi se ekonomia është rritur në qytetin tonë. “Vlera e pronës në Tiranë është rritur edhe si rezultat i rritjes në numër dhe i cilësisë së investimeve publike. Sot ne kemi hapësira publike të ekselencës urbane me çmime ndërkombëtare, si sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Zogu I”, sheshi “Italia”, “Pazari i Ri”, “Piramida”, “Kalaja”, Liqeni i Farkës, Liqeni Artificial i Tiranës, Kopshti Zoologjik, apo edhe ato në nivel kapilar, me minisheshe, terreneve sportive, rrugë të asfaltuara, kanalizime, rregull në parkim, ndriçim LED. Pastrimi më i rregullt dhe më i shpeshtë ka ndikuar që të rritet në tërësi vlera e pronës në Tiranë dhe ky është një lajm i mirë për qytetin. Mëkat është kur një qyteti i bie vlera e pronës. Ne jemi nga ato qytete fatlume ku vlera e pronës vetëm është rritur”, sqaroi ai.