Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë, Guido De Sanctis, të cilit i uroi sukses në misionin e tij në Shqipëri. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës me OSBE-në kanë ndërmarrë nisma të përbashkëta me fokus ndërveprimin e të rinjve nga i gjithë Ballkani.
“Shpresoj që tradita e mirë që kemi filluar me OSBE-në ndër vite, të vazhdojë të rritet edhe në këtë bashkëpunim që nisim bashkë. Ndërkohë, është një lajm i shkëlqyer që Tirana do të jetë Presidenca e “B40”-ës për vitin tjetër. Kjo do të thotë që mund të përdorim këtë vit, bashkë me degët e tjera të OSBE-së në rajonin tonë, për të punuar më shumë me qytetet, me demokracinë lokale, me këshillat bashkiakë, me urbanistikën, me mënyrën sesi funksionojmë me vendimmarrjet lokale për të rritur më shumë transparencën. Mezi pres që edhe në këtë partneritet të madh mes qyteteve, të kemi një bashkëpunim të mirë në këtë mundësi unike që i është dhënë Tiranës për të qenë presidenca e “B40”-ës për 2024-ën,”, u shpreh Veliaj.
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Guido De Sanctis, shprehu interesin e tij për të thelluar bashkëpunimin e mëtejshëm me Bashkinë e Tiranës.
“Ky është një qytet shumë dinamik dhe tani po e kuptoj se përse, edhe e pëlqej shumë Tiranën. Qyteti është duke u rritur dhe mikpritja është e jashtëzakonshme këtu. Unë përfaqësoj OSBE dhe e kuptoj se kemi një histori të gjatë bashkëpunimi me bashkinë. Ne duam ta rrisim këtë bashkëpunim, duam ta zhvillojmë. Kemi projekte, po diskutojmë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen dhe jam i sigurt që është gjithashtu në të mirën e popullit të Shqipërisë, të Tiranës, dhe është gjithashtu në të mirën e sigurisë së rajonit. Di që “S-ja” në OSBE, është për sigurinë. Me këtë që po ndodh sot në botë, mendoj që siguria duhet të jetë diçka për të cilën duhet të punojmë çdo ditë”, u shpreh ambasadori i OSBE, De Sanctis.