Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën ku ka qenë rafineria e Ballshit, pas ç’montimit të saj për skrap nga kompania “Shijaku”.
Vendimi parashikon ndërtimin e një “centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse nga shoqëria “GREENNAT SOLAR PARK BALLSH”.
“Greennat Solar Park Ballsh” është në pronësinë e kompanisë “Shijaku” të biznesmenit Shpëtim Shijaku, i cili e bleu rafinerinë për 9 milionë euro me qëllim çmontimin dhe shkrirjen e saj për hekur skrap.
Dhënia e së drejtës për ndërtimin e centralit është bërë pa garë, ndërsa në vendim saktësohet se ndërtimi i centralit të ri “nuk është objekt koncensioni” dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.
Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi do të jetë brenda 60 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa afati i operimit të centralit është dhënë për 49 vite.
Qeveria ka parashikuar që e drejta për ndërtimin e burimit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike “mund të transferohet te një subjekt i tretë” si dhe ka caktuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si përgjegjëse për lidhjen e kontratës dhe për zbatimin e saj.
Sipas parashikimit të VKM-së, shteti do të përfitojë “falas, në formë royalty sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare”.
Pas disa përpjekjeve pa sukses për ta rivënë në punë, Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh u shit për skrap, duke lënë pas një mal me borxhe dhe të ardhura të mungura për autoritetet vendore dhe naftëtarët.
Vendimi i çmontimit të rafinerisë erdhi pas vitesh keqmenaxhimi dhe borxheve të krijuara nga kompania ARMO, që solli ekzekutimin e kombinatit në Ballshit si kolateral.