Ndërsa i biri u thirr më në fund në SPAK, për Gërdecin, Sali Berisha bënte në të njëjtën orë rrëmujë Parlamentin, duke akuzuar Edi Ramën se ka bërë korrupsion me ish-zyrtarin e FBI.

Historinë e mëposhtme, ndoshta shumë pak njerëz e mbajnë mend:

Në 5 mars 2015, Kuvendi i Shqipërisë kishte të njëjtën pamje si sot: Një Berishë që ulëret dhe bllokon foltoren. Bëhej fjalë për disa akuza të Tom Doshit, asokohe i pakënaqur me Ramën dhe qeverinë.

Por karburanti i Doktorit u shter dhe ai bëri një piruetë të çuditshme sapo kreu i Kuvendit i asaj kohe Ilir Meta i përmendi atij të birin, Shkëlzen Berishën.

Meta i deklaroi ish- aleatit, të cilit i thërret doktor jo për romuz, por me njëfarë respekti, se “duhet të tregohej burrë serioz dhe të mos bjerë pre e fantazive të Tom Doshit”.

Dhe se ai (Meta) “e dha një herë dorëheqjen për sebep të të birit, Shkëlzen Berisha, por herën e dytë jo”.

“A të kujtohet si më the atëherë? ‘Na mori në qafë ky budallai im’, kështu më the” – vazhdoi Meta duke iu drejtuar Berishës.

Dhe Berisha ngriti në çast frenat e dorës. Protesta në sallë u shua dhe ish-kryeministri u tërhoq.

Meta e kishte fjalën për 21 janarin. Ku lidhej Shkëlzeni në këtë histori? Sipas sqarimit të Spartak Brahos, një ndër videot që ishin rikuperuar nga kompjuteri i Dritan Priftit (siç e dimë, ai kujtonte se përderisa i kishte fshirë, nuk do gjendeshin) kishte protagonist Shkëlzenin që po ndërhynte tek Prifti për një koncesion.

Meta ia ka treguar Berishës videon e djalit bashkë me videot e tjera të laptopit të Priftit, para protestës.

Kështu u (ri)zbulua taksirati i madh i Sali Berishës; djali merret me municione e barut, por ndodh Gërdeci. Për të cilin, e thërritën dje më në fund pas 15 vjetësh.

Nga kjo kronikë e harruar, del se edhe më 21 janar 2011, ky Berishë i kërleshur dhe i dalë mendsh, që akuzoi gjithkënd e gjithçka për puç, paska qit pushkë jo vetëm për të mbrojtur pushtetin, por edhe për faj të “këtij budallait tim”.

Po të shtojmë edhe 3 përqindshat e taksës së suksesit që kërkonte e bija dhe i biri nga investitorët e huaj dhe vendas, apo ato që deklaronte Izet Haxhia, për Zenin dhe drogën në makinë zyrtare, kuptohet pse bëhet opozita alla-Sali.

Baruti i akuzave për korrupsionin e sotëm është i lagur keq nga korrupsioni i djeshëm. Ndaj nuk shkrep. Nëse ka ndërmend kush, ta shkrepë vërtetë.