Në 12 vjetorin e 21 janarit 2011, familja e Aleks Nikës, një nga 4 protestuesit e vrarë para kryeministrisë, i ka dërguar një letër drejtuesve më të lartë në vend, me zhgënjimin se nuk ka vullnet politik për të ndëshkuar këtë krim shtetëror.
“Për 12 vjet me radhë heshtën institucioni i Presidentit të Republikës, Parlamentit shqiptar, qeveria dhe drejtësia shqiptare. Heshti gjithashtu trupi diplomatik në Tiranë ku disa ambasadorë premtuan shumë duke na bindur ne familjarëve, se duhet të keni besim tek drejtësia e re shqiptare, se autorët do të marrin dënimin e merituar”, shkruajnë familjarët.
Familjarët e Aleks Nikës, vrasjes së mbetur pa autor thonë se asnjë veprim nuk është bërë për ta konsideruar 21 janarin krim shtetëror pasi ende nuk i kalon në kompetencë SPAK-ut, por mbetet në prokurorinë e Tiranës.
“Ky krim shtetëror nuk konsiderohet se është kompetencë e hetimit nga SPAK dhe mbahet në hetim nga Prokuroria e Tiranës. Kjo ndodh sepse mungon në tërësi vullneti politik për ta zbardhur këtë krim të rëndë, deri në momentin që parashkruhet siç ka ndodhur dhe në shumë raste të tjera për krime të rënda shtetërore ku janë përfshirë politikanë të rëndësishëm dhe i kanë shpëtuar dënimit. Ne kemi kërkuar me insistim që çështja penale ti kalojë për kompetencë SPAK-ut dhe të hetohet në drejtim të urdhëruesve të atyre që kanë dhënë urdhër për të qëlluar, pa asnjë shkak ligjor ndaj demonstruesve në mes të bulevardit. Kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të tërë politikanët që janë implikuar në këtë veprimtari kriminale, direkt dhe indirekt me pasoja shumë të rënda, mos të vihen para përgjegjësisë penale”, thuhet në letër.
Familjarët thonë se durimi po u soset.
”Ne kemi detyrimim që të bëhet me çdo kush drejtësia, sepse kemi krijuar bindjen që ekziston urdhër për të qëlluar me armë zjarri, por nuk ka vullnet politik për të zbuluar organizatorët urdhërdhënës dhe ekzekutorët gardistë”, theksojnë familjarët në letër. Gishtin e përgjegjësisë përveç drejtësisë së re, familjarët e ngrenë edhe ndaj qeverisë, që ka në varësi direkte policinë dhe Shërbimin Informativ, institucione që merren me zbulimin dhe gjurmimin e krimit shtetëror që cenon sigurinë kombëtare duke destabilizuar vendin. Gjakun e djalit, babait të fëmijëve ne nuk e harrojmë”, mbyllet letra.
12 vite më parë në bulevardin ‘Dëshmorët e Atdheut’, përveç Aleks Nikës, u vranë edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Të vetmit të dënuar për këtë krim të 12 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. Vrasja e Aleks Nikës, 12 vite më pas vijon të mbetet pa autor.