Ish futbollisti i kombëtares së Italisë dhe Juventusit, Gianluca Vialli ka vdekur në moshën 58 vjeçare. Njeriu i shumë sukseseve ndodhej në Londër ku po kurohej në një klinikë për kancerin pankreatik.
Deri në dhjetor ai ishte ndihmës i Roberto Mançinit te Italia ndërsa në nëntor ishte edhe në Shqipëri kur u luajt ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në 14 dhjetor ai u tërhoq nga detyra e tij në kombëtaren italiane për t’u trajtuar lidhur me sëmundjen e tij që fatkeqësisht i mori jetën.
“Në fund të një “negociate” të gjatë dhe të vështirë me ekipin tim të mrekullueshëm të onkologëve, kam vendosur të pezulloj, shpresoj përkohësisht, angazhimet e mia profesionale të tanishme dhe të ardhshme. Qëllimi është të përdor të gjitha energjitë psiko-fizike për të ndihmuar trupin tim të kapërcejë këtë fazë të sëmundjes, në mënyrë që të përballem sa më shpejt me aventura të reja dhe t’i ndaj me të gjithë ju. Një përqafim”-shkruante ai në mesazhin e tij të fundit.