Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Rezoluta e PE për harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me BE-në, e cila u miratua ditën e djeshme, është hipokrite.

Sipas tij, pjesa më e keqe është ajo ku theksohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Megjithatë, kërkohet intensifikimi i dialogut në bazë të njohjes reciproke, që të dënohen një sërë lëvizjesh përshkallëzuese nga Serbia dhe aktorët e mbështetur nga Serbia, të cilat përfshijnë bllokada të paligjshme, sulme dhe kërcënime për veprime ushtarake, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se anëtarët e BE-së që nuk e njohën Kosovën ta bëjnë këtë”, tha Vuçiç duke iu drejtuar gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

I pyetur se si e sheh Rezolutën e Parlamentit Evropian dhe faktin që kërkohet harmonizimi me politikën e jashtme, ai nënvizoi se kjo i intereson më pak se pjesa ku thuhet se Kosova është e pavarur.