Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar samitin mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian me 3 Shkurt në Kiev. Zelenskyy diskutoi detajet e takimit të nivelit të lartë me Presidenten e Komisionit, Evropian Ursula von der Leyen në telefonatën e tij të parë të vitit, ka njoftuar zyra e tij e komunikimit.
“Palët diskutuan rezultatet e pritshme të samitit të ardhshëm Ukrainë-BE që do të mbahet më 3 shkurt në Kiev dhe ranë dakord të intensifikojnë punën përgatitore”, thuhet në deklaratë. Udhëheqësit folën për furnizimin e armëve “të përshtatshme” dhe një program të ri ndihme financiare prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën.
Zelenskyy gjithashtu ka kërkuar që kësti i parë të dërgohet këtë muaj. Nëntorin e kaluar, BE-ja nisi Misionin e Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në mbështetje të Ukrainës (EUMAM Ukraine) për të vazhduar mbështetjen kundër luftës së vazhdueshme ruse.
Për më tepër, Këshilli miratoi një masë ndihme në kuadër të Mjetit Evropian të Paqes (EPF) me vlerë 16 milionë euro për të mbështetur ndërtimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës nga EUMAM Ukraine. Muajin e kaluar, BE hapi rrugën për t’i dhënë Ukrainës ndihmën “megadeal” që përfshinte miratimin e një norme tatimore globale minimale prej 15%.