Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit, duke bërë ndarjen e komisionarëve që do jenë pjesë e KZAZ-ve. Sipas KQZ, 2 komisionerë do t’i ketë Partia Socialiste, 2 Partia Demokratike, një Partia e Lirisë dhe një Partia Socialdemokrate.

Ilirjan Celibash, Kryekomisioneri i KQZ: Partitë politike duhet të paraqesin kandidaturat për anëtarë të KZAZ-ve jo më vonë se data 29.01.2023, pra 29 Janar 2023. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në faqen zyrtare elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në total KZAZ kanë shtatë komisionerë, por i shtati do të përcaktohet me short mes PS-së dhe PD-së.

Teksa KQZ ka nisur zyrtarisht procedurat për përgatitjet e zgjedhjeve të 14 majit, PD ka përzgjedhur kandidatët e saj nëpërmjet primareve. Nga ana tjetër, PS ende nuk ka zgjedhur zyrtarisht kandidatët e saj, të cilët do të përzgjidhen nëpërmjet sondazheve, propozimeve të strukturave, por në fund do të zyrtarizohen në kryesinë e partisë.