Nga Kuvendi i Kosovës, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar 15 vjetorin e pavarësisë. Begaj tha se dita e pavarësisë është një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët pasi na kujton forcën qëndresës dhe rezistencës ndaj serbëve ndërsa falenderoi shtetet që njohën menjëherë vendin si shtet i pavarur.
“Shqipëria është mbështetëse aktive e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës, pikësëpari e finalizimit të heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kam pritur me entuziazëm lajmin e aplikimit të Republikës së Kosovës për procesin e anëtarësimit në BE.
Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju uruar sukses e hapa sa më të shpejtë në këtë rrugëtim. Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në të gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare.”, u shpreh presidenti Begaj.
Më tej, ai përcolli edhe një mesazh për tensionet me Serbinë teksa tha se duhet të bashkëpunojnë për stabilitet dhe paqe në rajon.
“E kam të rëndësishme ta përshëndes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirë ndërtuar, me njohje të ndërsjellë. Shumëllojshmëria etnike, kulturore, fetare duhet të kthehen në vlera ballkanike, me të cilat Ballkani mund të kontribuojë në Evropë dhe jo vetëm. Ne ballkanasit, nuk jemi larg njëri-tjetrit as gjeografikisht, as për vlerat që mbartim. Ne jemi shembulli i qartë se niveli i zhvillimit apo distancat fizike nuk janë as kriter e as pengesë për t’ju gjendur pranë njerëzve e popujve. Ndaj në vend të ndasive, brezave të ri ne mund t’i lëmë trashëgimi bashkëjetesën në harmoni.”, tha Begaj.