Evi Kokalari, ish-aktiviste e ‘flaktë’ në Foltore për rikthimin e Sali Berishës në krye të PD-së, akuzon Belind Këlliçin, se nuk e ka përfunduar të plotë gjimnazin e “Harry Fultz” në Shqipëri, dhe se ka mashtruar në formularin e aplikimit të fakultetit në SHBA, duke kryer një krim federal.
Por edhe pse Belind Këlliçi e kërcënoi me padi në gjykatë, mungesa e dëftesës që vërteton që ai ka përfunduar gjimnazin e ka bërë që të heqë dorë dhe ta lërë në heshtje.
Përmes një statusi në rrjete sociale, Kokalari i bën thirrje kandidatit të Berishës për Tiranën që të çojë para gjykatës diplomën nëse e ka vërtet diplomën.
“Ky gjeniu që instaluat kundër Velias në fushatë, pse s’më ka hedhur akoma në gjyq për akuzat që i kam bërë për diplomën e gjimnazit? Do e kishte shumë të lehtë të vërtetonte që isha gabim!! Thjeshtë sill diplomën si provë përpara gjykatës”, shkruan Kokalari.
Më herët, Kokalari tregoi se si Belind Këlliçi mashtroi autoritetet amerikane duke u regjistruar në një nga universitetet amerikane pa përfunduar të plotë gjimnazin në Shqipëri.
“‘Si mund të jesh ‘njëriu vitit në politikë’ kur ke gënjyer dhe për diplomën e gjimnazit që NUK e ke mbaruar?… dhe më vonë gënjen në aplikacionin e fakultetit në Amerikë duke thënë se ke mbaruar gjimnazin. Ky konsiderohet krim federal në SHBA. Pastaj thotë se fitoi bursë sepse ishte kampion tenisi. Po që i vëllai punonte tek ky fakultet kur ky kampioni ’fitoi’ burse, e deklaroi? E fitoi apo ja mundësoi vëllai? Ju qofshi me këta mashtrues dhe me këtë mediokritet. P.s. Harry Fultz duhet ti jap medias menjëherë diplomën e personit në fjalë. Diplomën dhe jo vërtetim që ka bërë katër vite gjimnaz.’- shkruan Kokalari.
Kujtojmë se në 17 qershor të vitit 2022, kandidati i Rithemelimit për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi deklaroi se pas akuzave që Kokalari i kishte bërë, kishte dorëzuar një padi për shpifje. Asokohe, Kokalari iu kundërpërgjigj se do të paraqiste në gjykatë faktet e manipulimit të votave të Këlliçit në Këshillin Kombëtar. Ndërsa me postimin e bërë ditën e sotme, Kokalari lë të kuptohet se Këlliçi ende nuk e ka hedhur në gjyq për deklaratat e saj mbi diplomën e shkollës së mesme, ashtu siç deklaroi për mediat në qershor.
Kokalari ka nisur denoncimet për manipulimin e votave që sipas saj ka bërë Belind Këlliçi, ku ka postuar foto me numra dhe shkruan se janë numrat respektivë të përdorur në listën e votimit për kandidatët e Këshillit Kombëtar të PD-së më 30 prill. Sipas saj, me anë të kësaj liste Këlliçi ka lobuar dhe orientuar votuesit për kandidatët që janë zgjedhur. Kokalari thotë se nga 67 personat në listë që ka publikuar, 43 prej tyre janë zgjedhur dhe përbëjnë 15% të Këshillit. Sipas Kokalarit, Këlliçi ka fuqizuar kështu klanin e tij dhe kanë lënë jashtë liste të rinjtë e tjerë që kandiduan.
Kokalari akuzoi Këlliçin se kishte lobuar dhe orientuar votat për të siguruar një vend në Kryesi. Kjo përplasje nisi para se PD e Berishës të finalizonte zgjedhjen e organeve drejtuese, përmes posteve më të rëndësishme në parti pas kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe nënkryetarëve, por që Këllici nuk mori asnjë post.