Pamjet e transmetuara të mërkurën në mbrëmje (08.02.2023), në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, janë shumë shqetësuese për lirinë e ushtrimit të profesionit nga një grup xhirimi që hetonte një rast paligjshmërie në afërsi të Niklës në qarkun e Durrësit.

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA dënon ashpër ushtrimin e dhunës verbale dhe fizike që shkoi deri dhe përdorimin e armës së zjarrit për frikësimin e reporteres dhe kameramanit, si akte të papranueshme dhe goditëse për lirinë e fjalës. Aq më tepër që ngjarja ndodhi në një pronë publike, buzë lumit, ku një grup personash kryenin aktivitet të paligjshëm me pretendimin se ishin në “pronën” e tyre.

AMA pret me padurim hetimin e detajizuar të këtij rasti të rëndë, duke nxitur autoritetet ligjzbatuese që të zbardhin plotësisht dhe sa më parë rrethanat e ngjarjes, si dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.