Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të mekanizmit me anë të të cilit funksionon aplikacioni i Partisë Socialiste “Aktivisti” dhe të dhënat e përdoruesve të tij.
Rama shkruan se PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen dhe manipulimin e të dhënave ndërsa shton se çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi PS i rrit socialistëve dëshirën për të ecur të sigurt drejt fitores me datë 14 Maj.
“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.
Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.