Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar gjatë seancës së djeshme në Kuvend, deputetin shqiptar dhe kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ku i tha se për asnjë moment nuk duhet të mendojë se shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të bëjnë atë që bënë pas vitit 2000.
Gjatë fjalës së tij, Kamberi u shpreh se serbët e kanë problem pranimin e realitetit, kurse Vuçiç i tha se ai është megafoni i Albin Kurtit, shkruan Euronews Serbia.
“Ajo që po thotë është politikë e Albin Kurtit, jo e dikujt tjetër”, theksoi Vuçiç, i cili vlerësoi se fjalimi i Kamberit ishte një truk, në përpjekje për të barazuar të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi.
“Është një mashtrim kaq i keq, nuk mund të krahasohet dhe nuk duket, nuk janë dy vende, nuk kanë të njëjtin status juridik, nuk kanë të njëjtin pozicion në procesin e negociatave, domethënë nuk ekziston fare në procesin e negociatave”, nënvizoi presidenti serb.
Deputetët e Kuvendit të Serbisë miratuan me shumicë votash raportin e qeverisë për negociatat për Kosovën, për periudhën nga shtatori 2022 deri në mes të janarit 2023.
Nga 186 deputetë të pranishëm, 153 votuan për raportin e qeverisë, 23 kundër dhe nëntë deputetë nuk votuan.