Zv. kryeministrja Belinda Balluku ka dhënë detaje për marrëveshjen e firmosur për ndërtimin e urës së Bunës.
Balluku tha se është një projekt i propozuar nga Abazoviç dhe është përqafuar nga Shqipëria sepse çon përpara turizmin dhe prodhon ekonomi qarkulluese. Në këtë pikë të projektit, Balluku tha se qeveria jonë ka marrë përsipër prodhimin.
“Ky projekt kërkon një angazhim të vërtetë financiar nga të dyja qeveritë. U ra dakord gjatë mbledhjes së sotme dhe u tha dhe në konferencën për shtyp se investimi do të ndahet 50-50 midis palëve. Është një urë 300 metra e gjatë dhe sigurisht është projektuar që të mbrojë ambientin ku ndodhet sepse ndodhet në një zonë të mbrojtur gjithashtu.
Ne do të provojmë të kemi një mbështetje nga Bashkimi Europian për të pasur një lloj mundësie që të jetë e ndarë midis grandit dhe kredisë, por sigurisht në rast se do të shikojmë se do të jetë e pamundur, sigurisht do të mbulohet nga buxheti i shtetit. Ne kemi tashmë një eksperiencë, e kemi bërë këtë me Kosovën, sa i përket hekurudhës Durrës-Prishtinë,” – u shpreh Balluku.
Zv. kryeministrja u shpreh se në 12 muajt e ardhshëm mund të kemi një afat të saktë se kur mund të fillojë ndërtimi, ndërsa kostoja nuk mund të thuhet sepse duhet të jetë një projekt inxhinierik i mirëfilltë që të vlerësohet sa do të jetë 50% që do të paguhet nga Shqipëria.