Si sot 3 vjet më parë, më 17 shkurt 2020, Bashkimi Evropian organizoi në Bruksel, Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, që kishte si synim mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet e saj të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar. Në këtë kontekst, mori jetë Programi “EU4Schools” / “BE për Shkollat” me një vlerë prej 75 milionë euro i financuar nga BE dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë do të jenë përfituesit e këtij projekti. I zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), i cili ka investuar gjithashtu 765,000 euro, “EU4Schools” synon rindërtimin ose riparimin e 60 objekteve arsimore, ku përfshihen çerdhe, kopshte, shkolla 9-vjeçare, shkolla të mesme dhe konvikte në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti – Krujë, Durrës, Kurbin, Kamzë, Kavajë, Tiranë, Mirditë, Lezhë, Rrogozhinë, Shijak and Vorë.
Deri më sot në kontekstin e “EU4Schools”, kanë përfunduar 38 objekte arsimore, pranë të cilëve rreth 9,137 fëmijë dhe nxënës, si dhe 661 mësues po gëzojnë mjedise të sigurta, moderne dhe dinjitoze sikurse bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, 14 objekte arsimore janë aktualisht në proces rindërtimi apo riparimi. Nën sloganin rindërtojmë më mirë, rindërtojmë së bashku, Programi “EU4Schools” po investon në ndërtimin e strukturave sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë (EUROCODE 8). Ku të gjitha objektet arsimore, pjesë e “EU4Schools”, do të kenë burime të energjisë së rinovueshme, plotësisht të aksesueshme nga nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike. Gjithashtu ky program po ofron për herë të parë një mundësi unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve të tyre arsimore. 64 takimet konsultuese dhe 35 vizitat monitoruese të organizuara deri më tani kanë mbledhur së bashku 2,325 nxënës, fëmijë, prindër, anëtarë të komunitetit e përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, duke nxitur kështu edhe pronësinë dhe qëndrueshmërinë e investimit.
Në bashkinë e Shijakut, 2 objekte arsimore janë rindërtuar nga fillimi nga Programi “EU4Schools”, duke ofruar kushte dhe mjedise nga më të mirat për nxënësit dhe mësuesit. Këto investime kanë krijuar për herë të parë modele bashkëkohore të institucioneve arsimore në vendin tonë, ashtu sikurse janë edhe në vendet e BE-së. Nga ky investim në shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “RILINDJA” në Shijak, kanë përfituar 45 fëmijë të kopshtit, 138 nxënës, 12 mësues dhe rreth 4,000 banorë të komunitetit. Ndërsa në kopshtin nr. 2 “SHTOJZAVALLET” po në Shijak ofron kushte nga më bashkëkohoret për 105 fëmijë dhe 6 edukatore. Me një sipërfaqe totale ndërtimi prej 406 m2, ndërtesa ka një strukturë të solide. Godina ka termoizolim të fasadës, instalim të paneleve diellore për ngrohjen e ujit. Si dhe sistem monitorimi me kamera (CCTV), rrjet internet, ndriçim emergjence dhe tokëzim. Kopshti ka gjithashtu një oborr të vogël dhe kënd lojërash.
Në bashkinë Durrës, 17 objekte arsimore janë në fokus të Programit “EU4Schools”, prej të cilëve: 6 kanë përfunduar; 5 janë në proces rindërtimi/riparimi & 6 të tjera janë në pritje për të filluar.
Çerdhja Nr. 3 Durrës është një tjetër investim bashkëkohor, që i shërben 160 fëmijëve, 17 edukatoreve dhe rreth 28,000 banorë të komunitetit. Në këtë ndërtesë trekatëshe dhe me një sipërfaqe prej 780 m2, punimet kanë përfshirë një investim tërësor në çdo drejtim. Çerdhja është e pajisur me sistem ETIC, instalim elektrik, hidrosanitare, IT, CCTV dhe HVAC dhe furnizim me ujë të ngrohtë nëpërmjet paneleve fotovoltaike. Punimet rehabilituese kanë përfshirë gjithashtu punime peizazhi dhe rinovim të oborrit.