Sot, kur PD po përballet me problemin ligjor të trashëgimisë juridike të partisë, Sali Berisha nuk i ka dhënë argumente askujt, që e ka bërë PD-në më të madhe dhe e ka bashkuar.

Sali Berisha nisi betejën kundër Lulzim Bashës në shtator 2022, me premtimin e madh se do ta bënte PD më të madhe, më të bashkuar, më të fortë.

Në emër të këtij slogani, ai në të vërtetë pas një viti e gjysmë e ka bërë PD-në më të vogël, më të përçarë dhe më të dobët. E ka kuptuar dhe vetë dhe e ka ndërruar me sloganin “Shqipëria në rrezik”.

Të gjitha spekulimet se Berisha ka shumicën apo Basha ka pakicën burojnë nga përpjekja e Berishës për t’i imponuar gjykatës me dhunë, dëshirën e tij për të rrëmbyer vulën e PD.

Ky është dhe objektivi i vetëm i protestës së 11 shkurtit.

Tani është krijuar bindja që Berisha nuk ngjall dot shpresa afatgjata në opozitë.

Nuk ngjall dot shpresa për një mandat qeverisës.

Nuk ngjall dot shpresa qoftë dhe për një vit të suksesshëm opozitar dhe ka filluar të ngjallë shpresa javore.

Herë pas here, një herë në tre muaj, lajmëron një miting “që do të jetë më i madhi në histori” dhe që “do përmbysë qeverinë”. Zakonisht i njofton dhjetë ditë para. Ato dhjetë ditë janë dhjetë ditët e shpresës së opozitës.

Pastaj ndodh protesta, shfryet entuziasmi dhe dy protestat e tjera më pas dështojnë, pasi nuk i mblidhen as sa Këshilli Kombëtar.

Kjo është hera e tretë që Berisha “ngjall shpresë” në opozitë në periudhën kohore të një viti, me tre mitingje, atë të korrikut, atë të dhjetorit, që përfundoi me 1 mijë vetë dhe një grusht turinjve nga një i çmendur, dhe ky i 11 shkurtit.

Kaq është i gjithë kontributi opozitar i Sali Berishës qyshkur ka nisur procesin e përçarjes së PD.

Tani nëse gjykata do shqyrtojë aktet ligjore, natyrisht që PD i takon Lulzim Bashës. Por dhe nëse do shikojë kontributet opozitare, akoma më keq për Berishën.

Kontributi i tij i vetëm për një vit e gjysmë është se ka përçarë PD-në dhe e ka bërë më të dobët, më të përçarë dhe më të vogël. Madje me këtë që ka bërë, dhe sikur t’i takonte vula këtij dhe jo Lulit, këtij nuk i duhej dhënë nëse do niseshin nga kontributi opozitar.

Ndaj dhe protesta e 11 shkurtit, është një protestë që kërkon të trembë Gjykatën e Tiranës dhe t’i imponohet asaj me dhunë për t’i marrë vulën e PD.

Nuk e di ç’mund të bëjë gjykata, por Berishës nuk i takon as me letra, as me vepra. Në të dy rastet ai e ka shkatërruar PD. E ka bërë siç i duhet Edi Ramës.

E të mendosh tani, që ky kur nisi betejën, gjoja donte ta bashkonte PD-në, kurse në fund të betejës, pasi e bëri copë copë Partinë Demokratike, do vetëm vulën. Atë për të cilën nisi realisht betejën.