Kreu i PD, Sali Berisha, në një deklaratë nga selia blu pak orë para nisjes së protestës së sotme, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë.
Po ashtu ai u është përgjigjur kritikëve për pjesëmarrjen e ulët në protestën e së shtunës duke thënë se kanë postuar video të regjistruara kohë më parë, dhe jo të 11 shkurtit.
“Superskandali Rama-McGonigal, apo Rama-McGonigal-Gate, ka tronditur opinionin publik në SHBA, Europë dhe Shqipëri. Në këtë superskandal, dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali. Kjo dosje është historiku i korruptimit të kryezbuluesit të FBI, pagesës së tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare.
Pasojat e këtij korrupsioni janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton, dhe ne kemi besim te hetimi i tyre, por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal. Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë axhendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal.
Qytetarë dhe qytetare, zëri juaj dhe prania juaj ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë. Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt, ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Ky është morali i tyre, karakteri i tyre. Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar”, tha Berisha.