Sali Berisha është shprehur se Edi Rama ka si qëllim rrënimin e tij.
“Pasi e futën në thes ish-kreun e PD, tani duhet të rrënonin edhe një njeri tjetër, që kishte vetëm autoritet moral dhe asnjë fuqi vendimmarrëse në PD prej 8 vitesh, duhej të rrënonin Sali Berishën. Këtu mafia e Sorosit, në një lobim korruptiv me Ramën, ia dolën të fitojnë të marrin firmën e Blinken për shpalljen non-grata të një njeriu që gjatë karrierës kishte dy epitete: shumë pro-amerikan dhe i pakorruptuar. Mbi bazën e kësaj linje, guvernatorja Yuri Kim u shndërrua në mbështetësen më fanatike të organizatës kriminale të Edi Ramës. Ajo nuk ka gur pa luajtur, nuk la përpjekje pa bërë për të vazhduar kontrollin e plotë ndaj opozitës shqiptare për llogari të Edi Ramës. Nuk la mbështetje pa dhënë, nuk la rast pa treguar fanatizmin e saj në mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe kësaj bande mafioze”, tha Berisha.
Ai tha se do të reformojë sistemin në drejtësi sepse kjo aktuale ka dështuar.
“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. Kjo ndërhyrje do fillojë me një referendum popullor. Më pas në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, ne do ndërhyjmë me reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtar”, tha Berisha.
Sipas Berishës nuk ka asnjë probleme në regjistrimin e tij në zgjedhjet e 14 majit.
“Vendimi i 25 marsit, që njeh legjitim dhe në përputhje me Kushteuttën, Kuvendin e 11 dhjetorit, është vendim që në çdo vend të lirë të planetit, ka vetëm një kuptim: regjistrimin në regjistrin e forcave politike. Çdo vendim tjetër është antikushtetues dhe antiligjor.
Nëse Ali Basha ka pasur një të dhënë, një objeksion për vendimin e gjykatës, ai kishte të drejtë të hapte proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës, por ai nuk mund të bëhej palë kurrë në një proces ku nuk ishte palë. Kështu që bërja palë e Alibashës me ndërhyrjen direkte dhe të fuqishme të Edi Ramës, dhe të McGonigal-it me fustan, siç e ka pohuar vetë, është një akt antikushtetues, antiligjor”, shtoi Berisha.