Kryeministri britanik, Rishi Sunak është gati të nxjerrë Britaninë e Madhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse është e vetmja mënyrë që ai mund të ndalojë fluksin e emigrantëve të paligjshëm të cilët mbërrijnë në vend nëpërmjet gomoneve. Sot mediat britanike raportuan se kryeministri po përgatitet për lëvizjen ekstreme pasi iu tha se rreth 65 mijë emigrantë të paligjshëm pritet të mbërrijnë me gomone këtë vit, një rritje prej më shumë se 50% krahasuar me vitin e kaluar. Premtimi i tij vjen pasi javën e kaluar Sunak u zotua se do të zgjidhte situatën me emigrantët e paligjshme.
Në një intervistë për të bërë bilancin e 100 ditëve të tij të para në detyrë, kryeministri i tha gazetarit Piers Morgan se projekti i tij parashikonte rishikimin e kërkesave për azil brenda pak ditësh.
Sunak është i përgatitur të miratojë legjislacionin vendas për të nxjerrë Britaninë e Madhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut krijimin e së cilës e propozoi vetë Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë kjo do të sillte një përplasje të madhe mes laburistëve dhe konservatorëve të moderuar.
Rreth 30% e totalit të emigranteve të paligjshëm që mbërrijnë në Britaninë e Madhe janë shqiptarë. Mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe tashmë ka një marrëveshje për kthimin e të gjithë personave që mbërrijnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe kërkojnë azil pasi vendi ynë konsiderohet i sigurt. Ndërsa emirgantët e tjerë të paligjshëm, do të dërgohen në Ruandë të Afrikës.