Nga Eduard Zaloshnja

Nga Lumi i Tiranës deri në Konispol, është 5.5 me 4.5 raporti i votuesve të vendosur të mazhorancës ndaj atyre të opozitës (6 me 4 në Tiranë).
Në territorin e 44 bashkive që shtrihen në jug të Lumit të Tiranës, gara në zgjedhjet e prillit 2021 foli në mënyrë bindëse në favor të partive të mazhorancës (PS+PSD), krahasuar me PD-AN (PD+PDIU+PR+PAA+PBDNJ+LZHK+PDK). Vetëm në Devoll, partitë e mazhorancës morën në prill 2021 më pak vota se sa PD-AN.

Në katër bashki të tjera (Pogradec, Korçë, Mallakastër e Kavajë), partitë e mazhorancës morën më shumë vota se sa PD-AN, por nuk e arritën dot 50-përqindëshin, ngaqë u futën si pykë në mes LSI dhe ca partiza të tjera të vogla (shihni dy tabelat shoqëruese).

Po si paraqitet aktualisht situata elektorale në 44 bashkitë në jug të Lumit të Tiranës? Një sondazh kombëtar që zhvillova në janar me pothuaj 5700 të anketuar nga i gjithë vendi mund të na japë një ide.
Rreth 4500 ndër të anketuarit ishin banorë të rritur të këtyre 44 bashkive – jo mjaftueshëm për të llogaritur rezultate domethënëse statistikisht për secilën bashki më vete (përveç Tiranës). Sidoqoftë, në tërësi mund të llogariten rezultate përgjithësuese për gjithë pjesën e vendit në jug të Lumit të Tiranës.

Numri i të anketuarve në jug të Lumit të Tiranës të prirur të votonin për kryebashkiakë socialistë ishte në raport pothuaj 5.5 me 4.5 me të anketuarit e prirur për të votuar kryebashkiakë opozitarë të Berishës apo të Alibeajt (në Bashkinë Tiranë raporti ishte pothuaj 6 me 4). Gjë që parashikon probleme më 14 maj për opozitën në bashkitë poshtë Lumit të Tiranës (përveç Devollit, ku PD-AN siguroi më shumë vota se sa PS+PSD, pa ndihmën e LSI-së).

Tabela 1

BASHKITE NE JUG TE LUMIT TE TIRANES PRILL 2021
BASHKITE  PS+PSD  PD-AN  LSI etj.
POLICAN 66.4% 17.8% 15.8%
GRAMSH 61.2% 29.9% 9.0%
LIBRAZHD 61.1% 31.7% 7.2%
SELENICE 61.0% 31.5% 7.5%
TEPELENE 60.4% 24.5% 15.2%
VLORE 60.1% 30.1% 9.8%
HIMARE 60.0% 32.2% 7.8%
CERRIK 59.4% 29.9% 10.7%
PERMET 58.1% 31.6% 10.3%
KONISPOL 57.9% 34.5% 7.6%
PUSTEC 57.4% 30.9% 11.7%
MEMALIAJ 57.2% 24.0% 18.8%
BELSH 56.6% 39.9% 3.5%
KUCOVE 56.6% 32.0% 11.5%
VORE 56.4% 36.3% 7.3%
BERAT 56.1% 33.0% 10.9%
FINIQ 55.9% 35.8% 8.3%
DROPULL 55.0% 21.8% 23.2%
PATOS 54.9% 36.2% 8.9%
RROGOZHINE 54.8% 37.3% 7.9%
KOLONJE 54.3% 33.4% 12.3%
PRRENJAS 54.3% 30.6% 15.2%

Tabela 2

BASHKITE NE JUG TE LUMIT TE TIRANES PRILL 2021
BASHKITE  PS+PSD  PD-AN  LSI etj.
LUSHNJE 54.2% 37.0% 8.8%
DIMAL 54.1% 37.0% 8.9%
SKRAPAR 54.0% 11.7% 34.3%
SHIJAK 53.8% 39.1% 7.1%
FIER 53.6% 35.7% 10.7%
PEQIN 53.3% 42.8% 3.9%
MALIQ 53.3% 40.0% 6.7%
ELBASAN 53.2% 40.5% 6.3%
ROSKOVEC 53.1% 41.5% 5.4%
SARANDE 52.9% 33.9% 13.2%
DELVINE 52.9% 34.2% 13.0%
TIRANE 52.8% 37.4% 9.8%
GJIROKASTER 52.7% 34.5% 12.8%
KELCYRE 52.4% 31.4% 16.2%
DIVJAKE 51.9% 39.4% 8.7%
DURRES 50.6% 41.7% 7.8%
LIBOHOVE 50.0% 38.5% 11.5%
POGRADEC 49.9% 39.2% 10.9%
KORCE 49.0% 41.9% 9.2%
MALLAKASTER 47.9% 40.8% 11.3%
KAVAJE 47.7% 44.9% 7.5%
DEVOLL 45.3% 46.1% 8.6%