Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën vazhdon të jetë e fortë, tha presidenti Joe Biden, gjatë bisedës në Varshavë me homologun e tij polak, Andrzej Duda. “Siç i thashë presidentit [të Ukrainës, Volodymyr] Zelensky, kur fola me të në Kiev dje, mund të them se mbështetja jonë për Ukrainën vazhdon të jetë e palëkundur”, tha presidenti amerikan, Joe Biden. Ndërkaq, presidenti polak tha se vizita e Bidenit në Poloni është një sinjal i rëndësishëm për përkushtimin e SHBA-së që të mbajë sigurinë në Europë.
“Vizita juaj është një sinjal i rëndësishëm i sigurisë, një sinjal i përgjegjësisë së SHBA-së për sigurinë e botës dhe Europës. Amerika mund ta mbajë rregullin botëror”, tha Duda gjatë takimit dypalësh me Bidenin. Vizita e Bidenit në Varshavë vjen pasi ai një ditë më parë vizitoi Kievin, ku qëndroi mbi pesë orë. Vizita e paparalajmëruar në Ukrainë – e para prej se Rusia nisi pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë – nënvizoi edhe një herë bështetjen e Uashingtonit për Kievin . Biden u takua më 20 shkurt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Mariyinskiy në qendër të kryeqytetit ukrainas. “Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë”, tha Biden, duke folur nga një podium i dekoruar me flamuj të SHBA-së dhe Ukrainës.
“Dhe, Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”. Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore, në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Biden paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër shtetit rus. SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.